MekuliPress ju sjellë pjesë nga romani fshikulles, ” Nata është dita jonë” të akademik Rexhep Qosjes. 
Lexim të këndshëm! Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Mjaft! Mjaft! Mjaft! dëgjohet britma tmerruese e Kazanovës. Çka po më bën ashtu?

Asgjë më keq se ç’i ka bërë babai yt babait tim në vitin 1983.

Asgjë më keq. E di çka i ka bërë? Nuk të ka treguar? Të tregoj unë. Me vonesë të madhe të tregoj. Unë të tregoj ty e ti do t’i tregosh atij: se, ndoshta, do të kesh marrë vesh çka u ka bërë ai edhe të tjerëve në atë kohë. Dhe, asgjë më tepër s’do t’i thuash edhe në qoftë se të pyet: ku ke marrë vesh. Babai im punonte si teknik në Postën e Madhe, kurse babai yt ishte agjent në Sigurimin e Punëve të Brendshme. Agjentët që punonin në atë Sigurim quheshin udbashë. Ke dëgjuar për sigurimin e Punëve të Brendshme?

Ke dëgjuar për UDB-ën? Ke dëgjuar për udbashët. Nuk ke dëgjuar?! Keq! Gjithkush ka dëgjuar e ti nuk ke dëgjuar! Keq! Babai yt kishte kërkuar prej babait tim që të bëhej bashkëpunëtor i tij dhe t’i përgjonte e t’i përcillte disa qytetarë që atij i dukeshin të dyshimtë apo që ai dëshironte të ishin të përcjellë dhe të përgjuar për arsyet për të cilat vetëm ai mund ta dinte. Meqenëse babai im, i ndjeri, nuk kishte pranuar të bëhej spiun i UDB-ës, nuk kishte pranuar të bëhej udbash, babai yt e kishte shpallur anëtar të Partisë ilegale, Partia për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Në bazë të shpifjes së tij babai im ishte burgosur, ishte nxjerrë në gjyq mbas katërmbëdhjetë muajsh mundimesh të jashtëzakonshme, ishte shpallur fajtor, ishte dënuar me dymbëdhjetë vjet burg,që i kishte bërë në Zabelen e Beogradit dhe në Mitrovicën e Sremit. Njëri prej munduesve më të tmerrshëm të babait tim ishte babai yt, kurse mjeti i tij më së shpeshti i përdorur për t’i detyruar të burgosurit që të pranonin çka nuk kishin bërë ishin darët me të cilat ua shtrëngonte herdhet. Ja, darët, si këto me të cilat edhe unë, tani, do t’i bëj përshesh herdhet tua.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Kazanova ishte bërë meit.

Bukuroshja e tij ishte bërë hoxheshë, në gojën e së cilës ishte shtangur fjala : Zot!

Britma e Kazanovës arrin deri në qiellin e shtatë!

Garipit kurrë s’i kishte thënë i ati se deri në cilin qiell kishte arritur britma e tij, arritur britma e tij, britma e tij, e tij. Sado të mëdha, sado çjerrëse dhe sado pikëlluese, britmat e të munduarve atëherë nuk dëgjoheshin përtej dhomave në të cilat shkaktoheshin.

Tani britmat dëgjohen larg edhe në qoftë se janë të rrejshme!

Retë ishin bashkuar në një shtëllungë të madhe dhe i kishin zënë rrezet e diellit, që ngadalë, ngadalë po perëndonte.

E lëmë të qetë dhe të lumtur Kazanovën pse me herdhet e tij, këtu, në këtë rudinë të vogël të Malit të Madh, nuk ishte bërë një gajganë hungareze, të cilën as kudrat e uritura të Vajazanit nuk do ta hanin.

Ka edhe më zi.

Ajshe kudrën e këshillojmë, me shpresë se nuk do të ketë nevojë ta këshillojmë edhe një herë tjetër, që të kthehet te Mushaku dhe ta vazhdojë jetën me të: të lumtur apo të shtirë, si deri në ditën kur e kishte gjetur ajo Kazanovën apo kur Kazanova e kishte gjetur atë.

Nuk pret ta këshillojmë për së dyti: kërkon të vijë me ne. Kazanova mbetet vetëm, si paraardhësi i tij në fund të jetës.

Jam çuditshëm i gëzuar e nuk e di pse: ndoshta pse ia kemi ndërruar mendjen një kurve – në qoftë se, vërtet, ia kemi ndërruar!

Garipi i fshin pikat e djersëve në ballin e tij të ngushtë, në të cilin kurrë përpara nuk kisha parë pika djersësh.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Zbresim te Butrinti, marrim Mercedes-Benzin dhe nisemi drejt Vajazanit, ku na pret Mushaku, me pa durim, dhe, me lot në sy të burrit të shkërdhyer.

Burrë! Fjalë më e keqpërdorur se fjala Liri!

Deri në Vajazan, në livadhet dhe koriet në të dy anët e rrugës, nuk e di pse pikërisht sot, dëgjojmë kuaj e pela duke hingëlluar; derra dhe dosa duke turfulluar; qenë dhe kudra duke lehur; maçorrë dhe mace duke mjaullitur; cjep dhe dhi duke mëkuar; gomarë dhe gomarica duke pallur; gjela dhe pula duke u gagarisur; dema dhe lopë duke pallur; desh e dhenë duke blegëruar1

I dëgjojmë zërat e tyre, por nuk i shohim.

Vajazani na pret i gëzuar.

Mushaku s’na pret.

Horrat e tregojnë veten edhe pa folur, thotë Garipi.

I përgjigjem: mund t’i ketë dalë fare pune papritur. Do ta gjejmë në qoftë se s’na gjen. Ditët e netët i kemi përpara.

Nata është dita jonë. /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress