Mjeku shqiptar nga Maqedonia e Veriut Ilir Hasani, po shndërrohet si një ambasador i popullit tonë nëpër botë. Profesionalizmin i tij tashmë po konfirmohet edhe nga organizata më relevante mjekësore botërore Asociacioni Ndërkombëtar i Kirurgëve Ortopedë dhe traumatolog (SICOT).
Javën që shkoi dr. Hasani ka qenë i ftuar nga SICOT që krahas emrave më të njohur të traumatologëve dhe ortopedëve botëror, të ligjëroj edhe ai.
“Me ftesë të SICOT kam ligjëruar në kongresin e saj në Oman. Jam prezantuar me punimin shkencor ‘Politrauma – kirurgu i përgjithshëm apo eksperti’. Në këtë punim unë trajtoj një problem të madh shkencor dhe praktik, që është politrauma. Trajtimi i politraumës është shumë kompleks ku ngërthen shumë degë të kirurgjisë. Është dilemë botërore kush duhet të udhëheq ekipin që e trajton politraumën, një kirurg që është ‘gjeneralist’ që i njeh të gjitha lëmit po jo në atë thellësi, ose duhet të udhëheqin të gjithë specialistët kush si të mbërri, gjë që është praktikë në shumë vende të botës. Në këtë punim, i cili do të jetë i publikuar në revistën më relevante të lëmisë tonë, unë tentoj të shpërbëj këtë dilemë”, tha për Kosovapost, dr. Hasani.
Dr. Ilir Hasani është një nga traumatologët më të njohur të rajonit, i cili me njohurit dhe profesionalizmin e tij po zë vend në mjekësinë evropiane dhe atë botërore.
Paraqitjet e tij shkencore janë etabluar në revistat të njohura mjekësore. Hasani aktualisht vepron në Klinikën e Traumatologjisë, Ortopedisë, Reanimacionit, Trajtimit intensiv dhe Qendrës urgjente pranë Spitalit Universitar “Nëna Terezë” në Shkup, klinikë të cilën e udhëheq vetë ai.
Ndërkaq ai veprimtarinë e tij profesionale e ka ushtruar edhe në disa spitale në rajon. Gjithashtu ligjëron në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës.