Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Seb Bytyçi, ka thënë se modeli kroat i pakicave është i përshtatshëm edhe për Kosovën. Ai ka theksuar se ky model do të ishte garanci se brenda vendit të mos krijohej një republikë serbe.

“Është model i përshtatshëm sepse aty marrin pjesë edhe komunat ku ka pakicë dhe jo vetëm me shumicë serbe, kjo ka më shumë kuptim sepse u jep mundësi të gjithë qytetarëve të atij komuniteti të përfitojnë nga Asociacioni. Është njëfarë garancë, siguresë se nuk do të ketë një mini-republika sërpska që synon ndarjen”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Bytyçi ka shtuar se pjesa më e madhe e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë bëhet për natyrën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ka thënë tutje se drafti i propozuar nga Ekipi Menaxhues i shkarkuar nga Qeveria, është i papranueshëm për të gjithë përveç Beogradit.
“Kemi situatë të re, ku ekipi menaxhues më nuk ekziston. Gjithçka fillon nga zero sepse do duhet të negociohet çdo pikë e presje e çfarëdo drafti të ardhshëm. Do të kemi negociata mjaft të ashpra për natyrën e draftit të statutit, i cili edhe pasi të ketë pajtim prapë do të shkoj në Gjykatë Kushtetuese”.
Bytyçi ka deklaruar se për një marrëveshje do të nevojitet presioni i SHBA-së mbi të dyja shtetet.

“Për tu arritur kjo marrëveshje që u arrit u deshtë ndërhyrja e SHBA-së dhe presion mbi dy palët, dhe për tu arritur një marrëveshje tjetër për mënyrën e implementimit të aneksit të Ohrit prapë duhet të ketë presion nga jashtë. Nëse ka presion mbi të dyja palët mund të ketë përafrim, por nëse ka presion vetëm te një palë, p.sh te Kosova për ta formuar një Asociacion pa u implementuar pikat e tjera të marrëveshjes sigurisht se nuk ka sukses. Nëse ka angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare mund të ketë përafrim dhe mund të kemi kompromis që i ngjason Asociacionit në Kroaci”.