Migjeni (pseudonimi i Millosh Gjergj Nikollës) është nga shkrimtarët më të shquar të letërsisë shqiptare. Me një realizëm të thellë, të panjohur deri atëherë në letërsinë tonë, ai pasqyroi jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, sidomos të shtresave të varfëra të qytetit e fshatit, duke demaskuar sistemin e prapambetur shoqëror si dhe fashi zmin që po kërcënonte Evropën.

Përfaqësuesi më i shquar i realizmit kritik, Migjeni futi në letërsinë tonë me një shkallë shumë të lartë ideoartistike protestën e hapur, ëndrrën për një botë të re dhe optimizmin e thellë.

Por çdo lexues i vargjeve apo i prozës së tij të shkurtër, do të donte të dinte diçka më tepër për njeriun brenda atyre vargjeve, i cili është aq modern edhe sot.

E motra, Olga Nikolla, është e vetmja që ka mundur të bëjë të plotë tipare të karakterit të tij, ndoshta dhe për faktin se ishte e vetmja që i qëndroi pranë në ditët e fundit. Ajo ishte studente në Fakultetin e Shkencave Ekzakte, dega Fizikë në Universitetin e Torinos.

Në pjesën që do ta botojmë më poshtë, përshkrimi që ajo i bën atij, të sjell ndërmend një djalosh të lidhur fort pas arteve dhe jetës së kohës. I pëlqente muzika, sportet, kinemaja dhe fitonte gjithnjë në shah.

SHIJET E TIM VËLLAI

Milloshit i pëlqente shumë të lexonte. Kohën e lirë e shkonte gjithnjë me libër në dorë.

Milloshit i pëlqente edhe sporti. Dinte të bënte not shumë mirë. Notin e kish mësuar në detin e Tivarit, ku kaloi dy vjet tek motra jonë më e madhe, ku ndjekte mësimet në gjimnaz.

Në Shkodër, kur vinte për pushimet e verës, shkonte herë-herë me shokë te Ura e Mesit e në Shirokë, të lahej. Disa pushime Milloshi i kaloi në Prespë, ku dërgoheshin internatistët e seminarit teologjik të Bitolit; atje vinte me andje se mund të bënte not, e pse atji i pëlqente mjaft natyra.

Një tjetër sport, me të cilin merrej Milloshi qe futbolli. Këtë lojë e kishte nisur në Bitol, dhe kur vinte në Shkodër shkonte me shokët të lozte te Zalli i Kirit.

Milloshi ka qenë gjithmonë delikat nga shëndeti: ne të motrat, nga frika se mos vritej në këto ndeshje, e qortonin sa herë që luante. Kur plagosej, një kushrirë e vogël, në shtëpinë e së cilës banonim i lidhte plagën. Kur kushërira dhe Milloshi qeshnin me zë të lartë, ne kuptonim që kishte ngjarë diçka dhe përsëri fillonin qortimet… Po ai qeshte lehtë dhe na përgjigjej… ani…. s’ka gja”.

Milloshit i pëlqente veçanërisht muzika. I binte mandolinës. Në shtëpi këndonte kurdoherë. Kanga e preferuar e tij ka qenë,,Vjeçerni zvon”. Këtë e këndonte rusisht dhe kërkonte ta shoqëronim edhe ne të motrat.

Këndonte me andje edhe “Serenatën e Shubertit” Ndjente gëzim të madh kur dëgjonte këngë korale. Korin rus e admironte dhe shprehte mendimin për ndjenjat që i ngjallnin. Kishte vesh të mirë për muzikë dhe zë shumë të bukur… Ne shpesh kur ishim të mërzitura i luteshim të na këndonte.

Milloshi i ndiqte shumë kinematë, të vetmin institucion kultural në Shqipëri n’atë kohë. Filmin e komentonte shumë duke e skjaruar deri në fund. I njihte regjizorët dhe artistët dhe prej emra ve të tyre e gjykonte filmin që më përpara. Nga artistët donte shumë Çarli Çaplin.

Milloshi dinte të lozte mirë shah. Në lojë qëndronte gjithnjë i qetë me gaz në buzë dhe fishkë llonte ndonjë kangë. Nuk pinte alkool ose duhan. Kur ish i ri në shkollë qëndronte në krye të shoqatave që organizoheshin kundra pijes së duhanit.

Milloshin e donin dhe e çmonin shokët. Në çdo shoqëri kulturale në shkollë, ose gjatë pushimeve të verës në Shkodër shokët e zgjidhnin sekretar. Nga shokët e tij shqiptarë më të dashur qenë Jordan Misja dhe Peko Kadiqi, të cilët i ka në shumë fotografi.

Olga Nikolla – Luarasi

Kjo pjesë është shkëputur nga: Migjeni- “Vepra 2”, botuar nga “Rilindja” më 1980.