Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka dënuar sulmin e Iranit mbi bazat amerikane në Irak, dhe ka bërë thirrje që të ndalet dhuna e mëtejme.

Stoltenberg thotë se NATO’ja i bën thirrje Iranit që të përmbahet nga dhuna e mëtutjeshme.

“I dënoj sulmet iraniane me raketa kundër forcave amerikane dhe forcave të koalicionit në Irak. NATO-ja i bën thirrje Iranit që të përmbahet nga dhuna e mëtutjeshme. Aleatët po vazhdojnë të konsultohen dhe të mbesin të përkushtuar ndaj misionit tonë trajnues në Irak”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter, transmeton Gazeta Express.

Si filloi konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara?

Një grup militant irakian, i përkrahur nga Irani, e sulmoi ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Irak në ditën e fundit të vitit 2019. Sulmi vazhdoi edhe të nesërmen, më 1 janar. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se prapa këtij sulmi qëndron Irani dhe se ky shtet do të paguajë një çmim të lartë.

Të premten e kaluar, më 3 janar, komandanti iranian i forcave Kuds, Qasem Soleimani, u vra përmes një sulmi me dron nga forcat amerikane, në kohën kur po udhëtonte me veturë pranë aeroportit të Bagdadit.

Shtetet e Bashkuara e kishin fajësuar gjeneralin e vrarë për dhjetëra sulme kundër forcave amerikane.

Irani reagoi ashpër ndaj këtij sulmi, duke u zotuar se do të hakmerret për vrasjen e ushtarakut të lartë.

Në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, ky shtet e mori përgjegjësinë për sulmin ndaj dy bazave ushtarake në Irak, ku ndodhen forcat amerikane dhe forcat e vendeve të tjera aleate.