Gëzim Mekuli

Keni lexuar Sami Frashërin? Po kushtetutën e shqiptarëve, që Frashëri e shkroi, e keni lexuar? E kam fjalën për veprën e tij “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë”. U ndëshkua Rilindasi ynë për “hartimin e Kushtetutës” shqiptare, ju kujtohet? Dhe, e keqtrajtuan inxhinierin e kombit, apo jo?

Euuu, po kjo është histori! Janë të shkuara dhe të harruara këto ndodhi, do të thonë ca nga juvet. Vështirë të pajtohesh më këto mendime, do të thonin të tjerët.

Por, pse e them këtë e përse mendoj kështu?

Këtu, në Norvegji, konkretisht në arsim, ku shkruesi i këtij shkrimi është edhe mësimdhënës, fëmijët parashkollorë, që në qerdhe/kopsht, e kanë tek sytë flamurin kombëtar norvegjez, e kanë të varur mu në hyrje të kopshtit. Secila shkollë fillore, në kryehyrjet e tyre, poashtu, lartësojnë Flamurin norvegjez. Secila shtëpi, e secili oborr, thuaja, ka të ngulitur shtizën e lartë 15 a 16 metra për vendosjen e flamurit. E shofin, e ndiejnë dhe e prekin fëmijët norvegjez; Brymosen, ushqehen dhe formësohen me të fëmijët. Sa mirë! Sa e këndshme! Sa e dashur! Sa i nderuem ky simbol. Im birë e do Flamurin norvegjez! E nderon, mu sikurse Flamurin e tij Kuq e Zi! Sa kënaqësi! Sa me fat e sa i madh kombi, politika dhe edukimi norvegjez.

Dhe jo vetëm pamorja është me rëndësi në skalitjen e masave. Edhe shpirti është këtu; Studioni plan-programet mësimore norvegjeze! Lexoni lëndët Histori, Gjeografi, Dituri shoqërie dhe Gjuhë norvegjeze. Çfarë shofim e cfarë kuptojmë aty? As më pak e as më shumë pos kombit norvegjez; Vikingët, Bokmål, Nynorsk, Ibsen, Knut Hamsun, Bjørnson… është shteti demokrtaik norvegjez. Sa i mirë, sa i ëmbël e sa i dlirë ky edukim! Të duket sikur lexon veprën e Samiut tonë të madh: “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?, por në një norvegjishte të kulluar. Sa të përvetëson respekti dhe nderimi që i kushtohet arsimit, historisë dhe kulturës norvegjeze.

Epo mirë! Përse ky shkrim, do të thuani juvet. Është ky shkrim sepse, sot, Sami Frashërin e shekulit XXI, shqiptarët e kanë të persekutuar e të përdhunuar. E kan Samiun e tyre, eshe sot, e në këtë shekull, të sulmuar e të pështyrë. Dhe jo vetëm “Samiun” si person e si biologji, por edhe vepra e tij, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, është e hudhur, e pa reklamuar (sa duhet), e përbaltuar dhe e satanizuar nga pushteti dhe nga politikat feudale.

Sa ngat me veprën largëhedhëse të Samiut, që je ore burrë! Sa afër e sa të ngjajshëm pushtetet, burrë i dheut. Edhe sot, si dje!?

Vepra yte, “Vëtëvendosje”, kjo fotokopje e veprës “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, është pengesë e atyre. Mu ashtu sikurse vepra e Sami Frashërit që ishte pengesë për ata. Por, ndashtë Albin. Për ngjajshmërinë Epokale ia vlenë edhe burgu, edhe shpifjet, e, edhe përbuzja.

Ndashtë Albin, edhe ti si Samiu…. ia vlenë, Albin. Për komb e për humanizëm, s’ka dert. As pështymë e tyre në fytyrë tënde, s’ka dert, Albin.

Na fal Albin…!

( Gëzim Mekuli – 2017 – Pejë)