Në Mesjetë gratë e lira i digjnin për së gjalli si shtriga në turrë drush. Sot nuk kanë mundësi t’i djegin si shtriga por i djegin në forma tjera, ndoshta duke ua ngjitur epitetin kurvë, shkruan Sead Zimeri në facebook, përcjell e pavarura MekuliPress.

Ja çfarë shkruan më tutje profesori Sead Zimeri:

“Përmbajtja ka ndryshuar por forma është e njëjtë. Cilësimi i tillë është përpjekje për ta diskredituar atë dhe punën e saj, përpjekje për ta mbajtur atë në vendin që burrat ia kanë caktuar, dhe përpjekje për t’ia pamundësuar arritjen në ndonjë pozite të lartë dhe autoritare në shoqëri.

Në këto shoqëri vetëm gruaja që i përshtatet imazhit dhe normës së burrave për gruan mund të ngrihet lartë e më lartë. Po u tregove që vërtetë je e barabartë me burrin, po kërkove trajtim plotësisht të barabartë me të, atëherë ty të djegin. Nuk ka rëndësi aspak se ata e mbajnë veten për liberalë e të emancipuar, se tronditen kurse lexojnë histori shtrigas apo që flasin për të drejta të grave; në momentin kur ata të cilësojnë si kurvë (dhe nuk është e domosdoshme që të ta thonë se ti je kurvë: mjafton të të përshkruajnë me simptomet e kurvërisë) ata përnjëherë kthehen në mesjetë dhe u bashkangjiten atyre që digjnin gratë; kthehen në mesin e atyre që do të të akuzonin se je bërë shtrigë, dhe që duhet të digjesh.

Shtrigë, kurvë, grua histerike, e të ngjajshme, janë sinonime, pasi që përçojnë një kuptim të vetëm: gruaja nuk është dhe nuk duhet trajtuar si të barabartë me burrin.”