Ç’do të thotë të jesh i varfër?

Një baba, me një gjendje ekonomike të mirë, donte t’i mësonte të birit se ç’do të thoshte të ishe i varfër. Për këtë e çoi të rrinte disa ditë në një familje të thjeshtë fshatare, e cila jetonte larg qytetit, në një shpat mali, e përkushtuar në punët dhe hallet e veta.

Pasi kaloi disa ditë dhe net në atë banesë te thjeshtë fshati, i ati shkoi dhe e mori. Rrugës, në veturë, i ati e pyet të birin se si kishte kaluar.

– Mirë, – u përgjigj i biri, pa ia ndarë vështrimin natyrës përreth.

– E çfarë mësove? – ngulmoi i ati.

Dhe i biri i tha:

Mësova shumë, baba. Ja, po t’i numëroj:

1. Se ne kemi një qen kot, ndërsa ata kishin katër qenë që i ruanin nga kafshët e egra dhe nga njerëzit e këqij.

2. Se ne kemi një pishinë me ujë që rri në vend, kurse ata kishin një lumë me ujë të kristaltë që rridhte vazhdimisht, plot me peshq dhe kushedi sa gjëra të tjera të bukura.

3. Se ne blejmë fener, kushedi nga, për të ndriçuar kopshtin tonë, ndërsa gjithë vendin e tyre e ndriçonin yjet dhe hëna e bukur.

4. Se oborri ynë arrin deri te muri, ndërsa i atyre deri tek horizonti.

5. Se ne e blejmë ushqimin tonë, ndërsa ata e prodhonin vet, ne e marrim në shitore pjeshkën ata e merrnin të freskët, drejt e nga dega e pemës.

6. Ne dëgjojmë CD, ata dëgjonin simfoninë e përjetshme të bilbilave, turtujve, fugave, bretkosave, gjinkallave e kushedi sa kafshëzave të tjera, po ashtu edhe ligjërimin melodioz të lumit dhe këngën kumbuese të një fqinji që punonte matanë tij.

7. Ne gatuajmë në furrë elektrike, ndërsa ata gatuanin në zjarrin me dru që e bënte aq të shijshëm ushqimin.

8. Ne jetojmë të mbrojtur nga një mur rrethues dhe nga një instalim alarmi, ata jetonin me dyer të hapura, të mbrojtur nga miqësia dhe ndershmëria e fqinjëve të tyre.

9. Ne e njohim botën me anë të celularëve, kompjuterëve dhe televizorëve, ndërsa ata ishin të lidhur drejtpërdrejt me botën dhe natyrën: me qiellin, me diellin, me ujin, me malin, me blerimin, me kafshët, me të prodhimet e tyre, me njerëzit e tyre, pra, me jetën e vërtetë.

Ndërkohë që babai mbeti i shtangur nga thellësia e gjykimit të të birit, ky i fundit e mbylli duke thënë:

– Faleminderit, baba, që më bëre të kuptoj se sa të varfër qenkemi. Ne çdo ditë po bëhemi më të varfër në shpirt dhe në vlerësimin e veprave të mëdha që ka krijuar Zoti apo mëma Natyrë. Ne na ka pushtuar lakmia PËR TË PASUR, PËR TË PASUR e PËR TË PASUR dhe nuk shqetësohemi fare PËR TË QENË.

Në shqip: B. Karabolli

By