Kohët e fundit po përjetojmë një valë “informacionesh” nul, mbi përgjimet e bisedavet shqiptar me shqiptar, që po i publikon një gazetë e madhe gjermane.

Gjokë Dabaj

Unë nuk e di a e ka pasur praktikë pune ajo gazetë (gazeta “Bild”) për të publikuar bisedat telefonike midis udhëheqësvet partiakë të vetë Gjermanisë. Psh: A ka publikuar  “Bildi” ndonjë bisedë të Zonjës A.Merkel  me ndonjë vartës të sajin ose ndonjë bisedë të kundërshtarëvet politikë të Zonjës A.Merkel?  A i ka publikuar “Bildi” bisedat telefonike të politikanëvet polakë, të politikanëvet francezë, të politikanëvet austriakë, të politikanëvet rumunë, apo e ka “experiencë të parë” këtë lloj “skandali” që po ndodhka “për herë të parë” dhe vetëm “këtu në Shqipëri”?!

Në anë tjetër, kujtdo që është i kthjellët në gjykimin e gjëravet, nuk do të mund t’i shpëtonte pa u vënë re dukuria që gazetat tona, në këtë rast gazetat e Tiranës, po merren me broçkullat e një përgjuesi të huaj, me sa duket “të specializuar” “vetëm për Shqipërinë”, e nuk po merren aspak me katrahurat e “një tjetër soji”, që i shkaktojnë po të huajt, këtu në vendin tonë! Nuk po merren me veprat vërtetësisht të rënda, shkaktuar këtu prej të huajvet, por po merren me cic-micet tanë të brendshëm, servirur dinakërisht po prej atyre të huajve, qartësisht keqdashës ndaj shqiptarëvet!

E lagu, s’e lagu, e pështyu, s’e pështyu! Dhe s’i mbetet tjetër lexuesit, veçse për të përcaktuar, cili prej nesh është më kriminel se tjetri. Për njërën palë është Ed Rama hajdut e kriminel, për palën tjetër janë hajdutë e kriminelë Sali Berisha, Ilir Meta, Lul Basha. Pse është kriminel njëri? Sepse e lagu, sepse e pështyu dhe sepse e rropi Shqipërinë! Pse është kriminel tjetri? Sepse s’e lagu dot, sepse e pështyu, por nuk e rropi dot Shqipërinë këtë herë siç e pat rrjepur herën tjetër. Të gjitha këto, s’janë tjetër, veçse be-be e bla-bla, për të tërhequr vëmendjen nga halle shumëfish më të rëndë, rroposur mbi kurrizin tonë!

Askund, në asnjë rresht të publicistikës sonë, nuk gjendet asnjë e dhënë, as edhe një shifër: Sa fitime nxjerrin bankat e huaja këtu në Republikën e Shqipërisë, kaq të varfër?! Sa e rrjepin këtë vend këto banka, për të cilat çdo budalla e di që s’kanë ardhur këtu për kurrfarë humanizmi?! Kemi me dhjetëra gazetarë e analistë, të cilët natë për natë i mbushin ekranet me „gjykime të pjekur“  nga më „objektivët“. Kemi investigime nga „më tërheqësit“ mbi ngjarje  „tepër skandaloze“, por asnjëherë, për çudi, nuk ka investigime mbi lloj-lloj shushunjash, por edhe ujqërish e tigrash, të huaj, të cilët ia kanë arritur t’i bëjnë çorap, si ekonominë tonë, ashtu edhe mendjet tona. (Përjashto, si ciatje miu, rastin e ndonjë KESH-i apo rastin e ndonjë ndotjeje, që bën mu në Fier a diku tjetër dhe që prapë mbeten ashtu siç ishin. Se të huajt nuk pj… për ciatjet tona!)

Punojnë të ashtuquajturit fasonë! Gratë e vajzat, të cilat mezi arrijnë të gjejnë një vend pune në atë lloj industrie tepër nervadëmtuese, nuk paguhen as aq sa gjysma e asaj që paguhej dikur një punonjëse e rrobaqepësisë në të quajturat kooperativa të artizanatit. Sa para fitojnë pronarët e këtyre fasonëve?! A e merr mundimin (guximin) ndonjë nga „investiguesit“ tanë të na e sqarojë?! Dhe, fundja, pse kanë ardhur këta fasonët këtu e s’kanë ndenjur atje në vendet e tyre? A prej dhimbjes se mbetën gratë e vajzat tona pa punë?!

Disa nga minierat tona dikur punonin PËR NE dhe pikërisht sepse punonin PËR NE, na bllokohej minerali mu në sheshet e portevet tanë detarë dhe rrinte aty me muaj e me vite! Sot, ato pak miniera që po punojnë, sa fitojnë dhe ku e çojnë fitimin?! Minerali i bakrit, a vazhdon të ketë edhe flori, apo, mbas vitit 1990, ai mineral s’ka më flori, se i është mbaruar floriri? Pse nuk e hulumtojnë këtë dukuri “të çuditshme” gazetarët tanë “patriotë”? Prej minieravet të kromit apo të hekur-nikelit, sa përfiton Republika e Shqipërisë e sa përfitojnë ata që kanë ardhur këtu nga jashtë Shqipërisës? Kanë ardhur këtu ose rrinë atje në vendet e tyre dhe pasurohen me paratë e kromit dhe të hekur-nikelit tonë! Dua ta rithem: Sa fitojnë shtetasit e këtij shteti prej nëntokës së tyre dhe sa fitojnë të huajt po prej kësaj nëntoke?!

Po njoftohemi se në Shpirag qenkan zbuluar rezerva të mëdha nafte. A ka arsye kombi ynë për t’u gëzuar apo duhet të gëzohen vetëm kompanitë e huaja që ranë në një thesar, të cilit s’i del zot askush?! Jo vetëm Shpiragu, i cili thonë se s’e ka filluar ende shfrytëzimin fitimprurës, por, që të gjithë puset e naftës, ç’po i japin Republikës së Shqipërisë, përveç një ndotjeje, sa të neveritshme, aq edhe sëmundjeshkaktuese dhe, mbi të gjitha, revoltuese?!

Bujqësia e dikurshme e Republikës së Shqipërisë ka pushuar së ekzistuari. Edhe ndonjë patate, qepë apo mollë, që arrin të prodhohet, e shohim të kalbet dhe të hidhet me tonelata në brigjet e lumenjvet. Sa përfitojnë bujqësitë dhe industritë ushqimore të atyre vendeve, prej të cilëvet ne shqiptarët importojmë prodhimet bujqësorë?! Sa përfitojnë bujqësitë e tyre, për shkak se bujqësinë tonë e kanë shkatërruar?! Sa para i shtojnë ata vetes e sa para humb populli shqiptar duke mos pasur vetë një bujqësi modern, të cilën mund ta kishte?! Nuk po shoh asnjë gazette tonën që t’u hyjë seriozisht të këtilla llogarive.

Kompanitë e telefonavet, kompanitë e celularëvet dhe të internetit, vjelin para të madhe prej secilit banor të këtij vendi. Si, more, nuk doli asnjë gazetar të na thotë: Sa fitojnë, në orë, në ditë (24-orëshe!), në muaj e në vit, këto kompani?! E njohim përfitimin tonë, shpeshherë shkatërrues (sidomos te fëmijët), por nuk e njohim fitimin neto të atyre kompanive! Atë fitim që del ditë për ditë nga xhepat e shqiptarëvet dhe derdhet diku, por jo këtu!

Pse nuk flasin televizionet e gazetat për këtë lloj rrjepjeje?! Nuk flasin, sepse marrin para nëpërmjet reklamavet. Nuk flasin, sepse janë shndërruar në tregtarë skllevërish, edhe televizionet, edhe gazetat tona!

Asnjëri prej gazetarëvet tanë dhe asnjera prej gazetavet tona, nuk po merret me tema të atilla, të cilat do të mund të quheshin me plot gojën: burrërore, guximtare e dritëpërhapëse. E, kur një gazetari s’është burrërore, guximtare dhe dritëpërhapëse, zërat e saj pashmangshëm do t’u ngjajnë blegërimavet.

Ç’janë tjetër, veçse blegërima be-be-të e përditshme mbi temat bajate: “U POQËM A S’U POQËM NE SHQIPTARËT PËR TË HYRË NË BE?!” Kush qenka më i denjë se shqiptarët për të qenë anëtarë të asaj BE-je?! Mos janë italianët?! Mos janë hollandezët?! Mos janë gjermanët?! Cili komb i Evropës është moralisht më pak i ndotur se ne shqiptarët?!

Këto do të duhej të ishin analizat e gazetavet tona të Tiranës, e jo të bien pre e PJESËS INTRIGANTE të gazetarisë, qoftë evropiane, qoftë botërore. Sepse, në Evropë dhe në botë, nuk ka vetëm gazetari intrigantësh, të paguar për intriga. Ka, në Evropë e në botë, edhe të atillë gazetarë që nuk e shesin veten. Nuk e shesin veten as duke heshtur, as duke thënë gjëra të parëndësishme me qëllim për t’i eklipsuar ato të rëndësishmet.

Githsesi, unë po shpresoj që, të paktën emisionet e tipit „Fiks fare“ e „Stop“, jo t’i gërvishtin, por t’u hyjnë thellë nën themele pikërisht këtyre dukurive, që na e kanë zënë dhe po vazhdojnë të na e zënë frymën. Ndërkaq, “Bildi”, me sa duket, nuk ka punë tjetër, veçse të merret me telefonatat e shqiptarëvet.

20 qershor 2019.                                                            Gjokë Dabaj.