Lideri nacionalist turk, Devlet Bahçeli, ftoi Abdullah Oçalan, liderin e burgosur të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të dalë në Parlament dhe të bëjë thirrje publike për shpërbërjen e grupit të tij, duke shkaktuar valë tronditëse në mbarë vendin.

Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) e Bahçelit, aleate e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan, është aktor kyç në koalicionin qeverisës, por njëkohësisht ka qenë historikisht kundër çdo negociate apo angazhimi me PKK-në dhe liderin e saj.

Nëse lideri terrorist hiqet nga izolimi, le të vijë dhe të flasë në mbledhjen e Partisë Dem [pro-kurde] në Parlament. Le të thotë me zë të lartë se terrorizmi ka përfunduar plotësisht dhe organizata e tij është shpërbërë.

Bahçeli shtoi se nëse Oçalan mban një fjalim të tillë, atëherë mund të ketë një mënyrë për ta liruar atë nga burgu sipas nenit 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e njohur si “E drejta për Shpresën”, e cila ndalon dënimet me burgim të pacaktuar dhe i kufizon ato në 25 vjet.

E drejta për shpresë nuk zbatohet për kodin ligjor turk, megjithatë një deputet i Partisë Dem, në shtator paraqiti në parlament një projektligj për ta kodifikuar atë.

Nëse Oçalan tregon këtë vendosmëri dhe këmbëngulje, duhet të bëhet rregullimi ligjor në lidhje me përdorimin e së drejtës për shpresë dhe duhet të hapet rruga për të përfituar prej saj”, shtoi Bahçeli.

Kreu i MHP shtoi se çdo çështje dhe çdo krizë duhet të sillet në parlament dhe duhet të bëhen reformat e nevojshme dhe ndryshimet demokratike për të kënaqur shqetësimet e qytetarëve kurdë.

Edhe pse Bahçeli tha se kundërshton fillimin e bisedimeve të reja të paqes, midis PKK dhe qeverisë turke, të cilat kanë dështuar në mënyrë të përsëritur midis viteve 2012-15, komentet e tij tregojnë se elementi më nacionalist në asamble është i hapur për negociata për zgjidhjen e çështjes përmes parlamentit.

Ai la të kuptohet gjithashtu se nënat e operativëve të PKK duhet të takojnë fëmijët e tyre, një eufemizëm se PKK duhet të çarmatoset dhe anëtarët të lejohen të kthehen në jetën e tyre të zakonshme.

Erdogan është shprehur së fundmi në deklaratat televizive se koalicioni i tij qeverisës po ofron një mundësi unike për t’i dhënë fund terrorit dhe askush nuk duhet të sakrifikojë nismën e re për përfitime personale, duke treguar se Bahçeli e kishte koordinuar fjalimin e tij më parë.

Lëvizjet e fundit të Bahçelit kanë shkaktuar debat në Turqi.

Oçalan mbahet në një ishull të largët në Detin Marmara që nga viti 1999. PKK ka luftuar një luftë guerile kundër shtetit turk që nga viti 1984, me kërkesën kryesore të saj autonomi më të madhe për popullsinë kurde të vendit.

Dy anëtarë kryesorë të parlamentit turk nga partia pro-kurde e vendit thanë javën e kaluar se çdo zgjidhje për çështjen kurde duhet të fillojë me përfundimin e izolimit të Oçalanit.

By