Prof. Rami Memushaj

Është hera e dytë këtë vit që kryeministri i vendit shpreh shqetësimin për “një situatë të përgjithshme dramatike me gjuhën shqipe në tërësi”, duke propozuar si masë për kapërcimin e kësaj gjendjeje futjen e mësimit të gjuhës amtare edhe në universitet. Ky deklarim i tij është pritur me kritika ideologjike jo vetëm nga politika, e cila nuk arrin të shohë thelbin racional të kësaj nisme, po edhe nga akademikë të fushës, për të cilët “futja e mësimit të gjuhës amtare në universitete nuk është zgjidhja”, pasi mësimi i saj është detyrë ekskluzive e arsimit parauniversitar.

Nuk mund të mohohet se mësimi i gjuhës amtare është detyrë e arsimit parauniversitar dhe këtu ka shumë për të thënë, duke nisur që nga formimi i mangët i mësuesve të gjuhës shqipe e duke vijuar me programet mësimore të kësaj lënde, në të cilat gjuha shqipe përzihet me letërsinë, duke ndikuar për keq në përvetësimin e të dy lëndëve; me tekstet e gjuhës dhe të të gjitha lëndëve e niveleve të shkollimit, të korrektuara e të redaktuara keq, që nuk u japin nxënësve e studentëve gjedhe të gjuhës së përpunuar; dhe duke përfunduar me mungesën e kujdesit të trupës mësimore për të komunikuar me nxënësit në gjuhën standarde.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Por, me gjithë rolin parësor që ka arsimi parauniversitar në formimin gjuhësor të brezave të rinj, nuk duhet harruar se zotërimi i gjuhës amtare – dhe këtu nuk është fjala për dialektin, po për gjuhën standarde, e cila është diçka jo e trashëguar – nuk mbyllet me përfundimin e shkollës së mesme. Në shkollën 9-vjeçare dhe të mesme merren njohuri për sistemin gramatikor të gjuhës standarde, mësohen norma morfologjike, drejtshkrimore dhe pikësimi i saj si dhe punohet për t’i pajisur nxënësit me shprehi të përdorimit të gjuhës në të folur e të shkruar. Por përvetësimi i gjuhës standarde vijon edhe pas përfundimit të shkollës së mesme, kur të rinjtë nëpërmjet shkollimit universitar përgatiten për të punuar në specialitete të ndryshme, të cilat kanë edhe “zhargonin” e tyre: terminologjinë e veçantë dhe stilin karakteristik të fushës. Nuk është e vështirë, për shembull, të shihet ndryshimi midis gjuhës së publicistikës, të filozofisë, të jurisprudencës dhe të shkencës. Dhe për ta përdorur gjuhën në këto fusha, specialistët duhet të përgatiten nga shkolla e lartë.

Për t’u bindur për këtë, le të shohim përvojën këndej dhe përtej Atlantikut.

Në Europë, që prej vitit 1995, shoqata europiane AESOP (Association of European Schools ofPlanning) ka publikuar një dokument me kërkesat bazë për edukimin universitar, i cili është një “kurrikulum bazë” që këshillohet ta ndjekin shkollat e larta të kontinentit, pavarësisht specialitetit të zgjedhur nga studenti. Ndër tri kërkesat themelore të këtij kurrikulumi bazë është që studentët të fitojnë kompetencë praktike për disa fusha dhe një prej këtyre kompetencave që duhet të fitojë studenti në shkollën e lartë, është aftësimi në “komunikimin e shkruar, të folur dhe grafik”. Për ta fituar këtë kompetencë, studenti duhet të ndjekë kurse universitare të gjuhës. Përtej Oqeanit, Shoqata Amerikane e Kolegjeve dhe e Universiteteve shpalli në vitin 2005 nismën për përgatitjen e studentëve amerikanë për shekullin XXI, duke synuar pajisjen e tyre me aftësitë intelektuale dhe praktike për kërkim dhe analizë, për mendim kritik dhe krijues, për komunikim me shkrim e me gojë, për të punuar në grup për zgjidhjen e problemeve etj. Aftësinë për komunikimin me shkrim dhe me gojë studenti amerikan e merr duke ndjekur kursin njëvjeçar “Shkrim universitar” (University writing), që i ndihmon ata të shkruajnë ese, raporte pune etj., pra një kurs me të cilin ngjan pak a shumë lënda “Shkrim akademik” që zhvillohet në disa degë të universiteteve tona.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Në dritën e përvojës botërore, po edhe sonës, vijimi i mësimit të gjuhës amtare edhe në universitet është një gjë e domosdoshme. Për këtë arsye nisma e kryeministrit për futjen e mësimit të gjuhës shqipe në shkollën e lartë duhet vlerësuar si një rast i artë që duhet mbështetur nga departamentet e gjuhës shqipe dhe gjuhëtarët shqiptarë. Tjetër gjë është përmbajtja dhe kohëzgjatja e kursit, të cilat përbëjnë probleme teknike që duhet t’i zgjidhin departamentet e gjuhës shqipe në marrëveshje me njëri-tjetrin. Suksesi i kësaj nisme do të varet në shkallë të madhe nga serioziteti me të cilin do ta zhvillojnë këtë lëndë pedagogët e gjuhës shqipe, që nuk duhet të shkojnë në mësim me një gazetë nën sqetull, por pas një përgatitjeje serioze, që nënkupton jo vetëm përdorimin e doracakëve gjuhësorë, por edhe njohjen e terminologjisë e të veçorive të stilit të fushës përkatëse, me synimin që studentët të familjarizohen me termat e fushës së vet dhe të aftësohen për t’u shprehur me shkrim për problemet e specialitetit të tyre.

Sigurisht, nuk mund të mendohet se, me futjen e mësimit të gjuhës amtare në universitet, problemet që shfaqen sot në ligjërimin publik të shkruar e të folur do të kapërcehen. Ky hap do parë vetëm si një masë në vargun e masave që duhet të marrë shteti për rritjen e kulturës gjuhësore të popullatës dhe të përgjegjësisë së konsumatorëve të mëdhenj të gjuhës, siç janë shtëpitë botuese, redaksitë e gazetave dhe të televizioneve, administrata etj., për përdorimin korrekt të gjuhës. Që të kapërcehet kjo gjendje e pakënaqshme që ka shqetësuar prej kohësh gjuhëtarët, po deri edhe politikanë e artistë me emër, është e nevojshme që këta konsumatorë të gjuhës të detyrohen me ligj të zbatojnë normat e gjuhës standarde, pra duhet miratuar një ligj për gjuhën, me sanksione për shkeljet e këtyre normave. Kujtojmë se më parë kryeministri ka folur për vendosjen e korrektorëve letrarë, por kjo mbeti vetëm një dëshirë e tij. Pra, problemet nuk zgjidhen me masa të pjesshme dhe as me voluntarizëm, me dëshirën subjektive të një individi i cili nesër mund të mos jetë në pozitën që është sot dhe, si rrjedhim, nisma e tij të shembet. Vlen të kujtojmë se, pas botimit më 1973 të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, në janar 1974 Këshilli i Ministrave nxori vendimin “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe”, i cili ngarkonte Ministrinë e Arsimit që çështjet e lidhur ma normën e gjuhës letrare të pasqyroheshin në testet shkollore, që të kualifikoheshin mësuesit dhe punonjësit e shtypit, që mjetet e shkruara e të folura të informimit të zbatonin normat e gjuhës letrare, që në institucionet qendrore të kishte redaktorë gjuhësorë etj. Nuk ka pasur asnjë arsye që ky vendim të mos zbatohej edhe pas viteve ’90 dhe të shërbente si bazë për një ligj më të plotë për gjuhën.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Për përmirësimin e gjendjes në zbatimin e normave të gjuhës letrare, Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare para 3-4 vjetësh i propozoi Ministrisë së Informacionit një paketë masash që duhet të merrte shteti, si hartimin e një VKM-je për zbatimin e normës letrare dhe të rregullave gjuhësore në veprimtarinë e administratës së shtetit, në entet botuese dhe në mediet; për zbatimin e detyruar të alfabetit shqip me 36 shkronja; për tregtimin e pajisjeve kompjuterike (tastiera, laptopë) me shkronjat çÇ e ëË dhe pajisjen shkallë-shkallë me to të institucioneve; për shkarkimin në kompjuterët e administratës së shtetit të programit drejtshkrimor AS.2 dhe instalimin e “Fjalorit elektronik të gjuhës shqipe”; që doktoratat, botimet elektronike a në letër të kishin emrat e redaktorit letrar dhe të korrektorit letrar të licencuar, kusht pa të cilin të mos lëshohej ISBN-ja ose ISSN-ja; që pranë ministrive përkatëse të ngriheshin grupe pune për standardizimin e emrave të përveçëm të njerëzve dhe të emrave gjeografikë si dhe për shkrimin e tabelave etj.; që nga Akademia e Shkencave, në bashkëveprim me Institutin e Gjuhësisë dhe me departamente a qendra të informatikës, të kërkohen rrugë për zbatimin e teknologjisë kompjuterike dhe të informacionit në mësimdhënien dhe nxënien e shqipes. I ngritëm këto probleme edhe në tryezën e rrumbullakët të organizuar vitin e kaluar nga Biblioteka e Kryeministrisë në ditën e gjuhës amtare, po edhe pas kësaj nuk u mor asnjë përgjigje.

Shpërfillja për gjuhën i ka rrënjët në përpjekjet për delegjitimimin e standardit, të cilat nisën në fillim të viteve ’90 të shekullit të shkuar dhe nuk kanë reshtur as sot. Kritikat e kontestuesve të gjuhës standarde ndaj shtetit të atëhershëm, që mbështeti standardizimin e gjuhës, e kanë stepur shtetin e sotëm nga ndërmarrja e hapave të nevojshëm për kapërcimin e kësaj gjendjeje të pakënaqshme. Ato kanë ndikuar edhe në bjerrjen e kujdesit për gjuhën në shkollë dhe kanë nxitur guximin për të përdorur nëndialekte në ligjërimin publik, madje edhe nga figura të larta të politikës këndej dhe andej kufirit shtetëror.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ndryshe nga ata që janë kundër kujdesit të shoqërisë për gjuhën, për ta lënë atë në fatin e vet, sociolinguisti i njohur amerikan Joshua Fishman këshillon: “Mos e braktisni gjuhën”. Dhe kur flet për gjuhën, ai ka parasysh gjuhën standarde, e cila nuk është e lindur, po një krijim inxhinierik, që ka nevojë për kujdesin e përhershëm të shoqërisë. Pra, shpërfillja për gjuhën amtare, tiparin tonë dallues kryesor, është e pafalshme. Asnjë komb nuk sillet kështu me gjuhën e vet. Për të mos shkuar larg me krahasime, le të ndalemi te fqinji ynë lindor, Maqedonia e Veriut, e cila ka ligj për maqedonishten, që parasheh sanksione të ashpra për shkelësit e tij. Sa seriozisht sillet ky shtet me gjuhën, mund të shihet edhe në rastin e shqipes. Pas miratimit të ligjit për gjuhën shqipe, aty është krijuar një agjenci për emërtimet shqip të institucioneve zyrtare, të tabelave e të rrugëve, e cila ka vënë në punë gjuhëtarët shqiptarë të atjeshëm për zgjidhjen në kohë rekord të këtij problemi.

Problematika që lidhet me përvetësimin e gjuhës letrare dhe me zbatimin e normave të saj në veprimtarinë ligjërimore, është shumë e gjerë dhe e tillë që suksesi në një hallkë nuk siguron suksesin e gjithë sipërmarrjes. Ajo kërkon patjetër ndërhyrjen e shtetit, i cili, për të ndërtuar një politikë gjuhësore efikase, duhet të bashkëpunojë me Akademinë e Shkencave dhe me institucionet gjuhësore. Madje, duke qenë se gjuha jonë flitet në trojet shqiptare të shtrira në gjashtë shtete, problemi i gjuhës del jashtë kuadrit shtetëror, duke shtruar domosdoshmërinë e një bashkëpunimi në shkallë ndërshtetërore. Problemet me gjuhën shqipe janë të njëjta, në mos edhe më të theksuara, edhe në Kosovë e veçanërisht në Maqedoninë e Veriut, ku përdorimi zyrtar i shqipes në administratë, në ushtri e polici, ka nxjerrë në pah nevojën për terminologjinë shqipe. Këto problematika e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin sidomos në punë të terminologjisë, për të pasur një terminologji të njësuar, po edhe për pastrimin e gjuhës nga fjalët e huaja dhe pasurimin e saj me fjalë vendi, në mënyrë që pas 50 vjetësh të mos kemi fjalorë të ndryshëm të shqipes për Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë, çka do të çonte në variantizimin e gjuhës standarde dhe më tej në largimin jo vetëm gjuhësor të gjymtyrëve të kombit.

Për të mos lejuar çintegrimin e kombit, politikisht të copëtuar, duhet ruajtur njësia e gjuhës. Prandaj mendojmë se është bërë urdhëruese ngritja e një këshilli kombëtar me përfaqësim të tri njësive shtetërore dhe me platformë të miratuar shtetërisht, siç qe Komisioni i Përhershëm për pastërtinë e gjuhës që u krijua me vendim të Këshillit të Ministrave më 1979 dhe vijoi deri më 1990, i cili kishte si detyra punën “për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës”, “për shqipërimin dhe njësimin e terminologjisë tekniko-shkencore” dhe kujdesin “për zbatimin e plotë të normës së gjuhës letrare”.
/MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress