Dje në Londër në ‘Sunderland University’ shoqata ‘Albanian British Academy Society’ ka organizuar një konferencë shkencore me titull: ‘The current geopolitical situation and challenges facing Kosova’ (Situata e tashme gjeopolitike dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova’. Para pjesëmarrësve akademikë, studentë dhe intelektualë, me punime u paraqitën Andi Hoxhaj, Timothy Less, David Phillips, Erhan Türbedar dhe John Hodgson.
Andi Hoxhaj foli për tregun e përbashkët të Unionit Evropian dhe Ballkanin Perëndimor duke e krahasuar procesin e Berlinit dhe iniciativën e Ballkanit të Hapur.
Studjuesi Timothy Less nga ‘Center for Geopolitics – Universitety of Cambridge’, dhe i cili për një dekadë ka punuar në ‘Foreign Office’ i ngarkuar kryesisht me Ballkanin, u paraqit me temën ‘Will the Kosovo story end in Greater Albania?’ (A do të përfundoj tregimi i Kosovës në Shqipërinë e Madhe). Kjo ishte një temë e elaboruar për lakmi dhe zgjoi interesim për debat. Duhet theksuar se Timothy Less nuk e përjashtoi bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ai këtë gjë e cilësoi si të vështirë, por jo të pamundshme për shkak se është rrugë natyrale e zhvillimeve.
Profesori i njohur amerikan, David Phillips, foli për procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e cilësoi si të stërgjatur dhe të pafrytshëm. Ai theksoi se ky proces përfundon vetëm nëse SHBA merr rolin kryesor në këto bisedime. Për këtë arsye, ai sugjeroi se duhet të jenë vetë shqiptarët që t’i bëjnë presion SHBA-ve, për ta marrë këtë rol.
Ishte interesante edhe paraqitja e studjuesit të njohur nga Turqia, Erhan Türbedarit, i cili shpalosi rolin e Turqisë në Ballkan duke e patur në qendër Kosovën. Türbedar, i lindur në Prishtinë, analizoi thellësisht rolin e Turqisë në secilin shtet të Ballkanit dhe arsyen e interesimit.
John Hodgson, nga publiku britanik, është i njohur si përkthyes nga shqipja në anglisht i Ismail Kadaresë dhe i Fatos Lobonjës. Hodgson shpalosi momente të kujtimeve të tij nga koha e fillimit të viteve të 80-ta, kur ka punuar në Universitetin e Prishtinës – dega e gjuhës angleze. ‘Ka qenë kohë e vështirë. Universitetit i mungonin fondet, por studentët ishin shumë të interesuar për të zënë mësime. Dhe ja, tashti nga ky universitet kanë dalur studjues që kanë doktoruar në Angli dhe që edhe japin mësim në universitete britanike’ – theksoi Hodgson.
Por, madhështia e kësaj konference ishte prezenca e Sir Noel Malcolm-it. Shyqyri Haxha, kryetari i ‘Albanian British Academy Society’, në emër të kësaj shoqate, e nderoi Noel Malcolm-in me një çertifikatë falënderimi, si shenjë mirënjohje për punën e tij hulumtuese akademike duk e potencuar veprën ‘Kosova – një histori e shkurtër.
Shkurtimisht, kjo ishte një konferencë e rëndësishme shkencore, jo vetëm për shkak të pjesëmarrësve të rëndësishëm, por edhe për organizimin e mirë të kësaj shoqate./Daut Dauti/