Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka deklaruar se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë pa Gjykate Kushtetuese dhe pa Gjykate të Lartë, duke shtuar se drejtësia në vendin tonë ka hyrë në kolaps total.

Përmes një postimi në facebook, Halimi shkruan se sipas tij, janë rreth 40 mijë dosje që presin të shqyrtohen në këtë gjykatë, duke nënvizuar se deri në fund të vitit, numri i tyre do të shkojë deri në 60 mijë.

Reagimi i plotë:  

Nga sot Shqipëria i vetmi vënd në Evropë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Shkarkimi nga detyra i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Edmond Islamaj (të cilin e njohin të gjithë si një gjyqtar korrekt) ka si qëllim të vetëm mbylljen përfundimtare të Gjykatës së Lartë.

Nga sot Shqipëria është jo vetëm pa Gjykatë Kushtetuese por dhe pa Gjykatë të Lartë. Nga sot nuk mund të shqyrtohet asnjë nga 40.000 dosjet që prisnin në rradhë dhe drejtësia përfundimisht është futur në kolaps total. Atë që Komisioni i Venecias thoshte në dhjetor 2015 po dalin çdo ditë.

Dhe ne këtë pike ata që vuajnë nga mungesa e ekzistencës së një sistemi gjyqësor normal hierarkik janë padyshim qytetarët e thjeshtë dhe po aq shume biznesi. Sikur Gjykata e Lartë të krijohet në fund të vitit kur të jenë më shumë se 60.000 dosje, çdo qytetari dhe çdo kompanie do ti duhej të paktën 7-8 vjet pritje për t’i ardhur radha.