Ilir Canhasi

Para më shumë se 35 viteve, për herë të parë në bankat shkollore unë dëgjoja me vëmendje arsimtarët kur ligjëronin mbi rilindasit shqiptarë e veçmas arbëreshët e emigruar në Sicili dhe Kalabri të Italisë, që nga ato vite kurreshtja ime që të mësoj më shumë për ta vetëm sa vinte e shtohej me kohën.

Mësuam për Lekë Matrënga, Jeronim De Rada, Zef Serembe, Gavril Dara i riu dhe vjetri, Zef Skiroi e shumë të tjerë.

Që atëherë tek unë lindi një dashuri e madhe për arbëreshët në Itali.
Unë përveç që u lidha shpirtërisht me ta nuk e kisha besuar kurrë se pas 35 viteve një ditë unë do jem në mesin e tyre edhe fizikisht me praninë time në Hora e Arbëreshëve – Piana degli Albanesi.

Kontakti im i parë me arbëreshët ishte në mars të vitit 2017 kur Italia luajti kundër Shqipërisë për kualifikimet e botërorit në futboll.
Një pritje madhështore nga vëllezërit e një gjaku që nuk harrohet kurrë.
Kontakti i dytë me ta ishte me poetin e ri arbëresh z. Mario Caliva ku unë edhe për herë të parë lexojë librat e tij ”Nostalgjia” dhe ”Poezi arbëreshe”. Ju që dëshironi të dini më tepër rreth librit ”Nostalgjia”, mund ta gjeni shkrimin tim të botuar te Revista Drini.
Ndërsa sot unë do të ndalem dhe të shkruaj disa rreshta te kontakti i tretë mes meje dhe një poete arbëreshe simpatike znj. Giuseppina Demetra Schiro dhe librit të saj me poezi të quajtur ”Te dejti i zëmrës”.

Nuk ka se si të jetë ndryshe nga rilindasit tjerë arbëresh kur të gjithë pak a shumë fjalën – det e gjenë pothuajse në çdo poezi të tyre e njëjtë kështu është edhe në poezitë e autores Giusi.

Asaj i flenë në zemër deti me valet e tij, ku krypa e detit simbolizon diturinë, det ky që i kujton edhe vuajtjet dhe largimin e të parëve arbëresh drejt brigjeve të Italisë.
Det ky sa i bukur aq edhe i frikshëm.
Pse u vendosën në zonat malore e jo në Palermo të parët arbëresh kur u detyruan ta lenë atdheun ishte pyetja ime bërë autores, thjesht mu përgjegj ajo – ishte frika nga turqit se mos i sulmojnë nga deti.

Edhe Odiseun e gjejmë shpesh në librin e saj, autorja e dashuron shumë Odiseun sepse edhe ky ishte gjithnjë bashkë me detin, ku pas rënies së Trojës detyrohet të endet nëpër detëra për dhjet vjet derisa kthehet në shtëpi.

Për ju do të sjelli dy poezi të saj në arbërisht;
Biblioteka e dejtit
Viret në dejt (1)
mbi shkëmbinj një bibliotekë
Me pluhur kripje (2)
dhe pëlhurë algash
Te vëllimet një shkrim të bukur dhe të lashtë
vete tue(3) zbehur
Thomse rrëfien (4)
Për aikulla(5) madhështore mbi
rrënoja arkeologjike për gjinj të
zbluar(6) sirenash
që zbutsojën ujërat(7)
Çdo shkronjë isht një oqean tjetër
çdo vijë një valë tjetër
dhe inga ah inga
manushaqe çë ndërron(😎 në të kaltër
për të rrjedhur fshehur
te vinët time(9)
Pishkarët larg ngrëjën(10)
rrjeta me buri pishqish(11)

1 -Varur në det. 2-kripë. 3-Tuke. 4-Rrëfen. 5-Shqiponja. 6-Të hapur. 7-Në zbutje të ujrave. 8-Që var. 9-Te damarët e mi. 10-Peshkatarët larg mbledhin. 11-Plot me peshq.

Kthimi
Trimi
kriptë(1) valë-valë
si udha valë-valë
me rremat të bardha nga kripa
tue ndajtur(2) valët gjëmon:
<< Jam Odhiseo kthehem për të gjegjur>>
Lartësonen(3) dalë mbi anijen
sirenat me krahet prej uji
tue ftuar dritës të shumanshme
thurrje dejtesh
Përposh i gjerë hap gojën dejti
E shtrëngojën
Njera(4) tek e sprasmja frimë(5)
<> (6)
E
përqafimi i fort
përmis(7) anijen

1-Flokët. 2-Duke qarë. 3-Ngrihen. 4- Deri. 5-Te fryma e fundit. 6-Flitni. 7-Përmbyt.

Disa fjalë mbi Horen e Arbëreshëve -Piana degli Albanesi.
Do të ishte e padrejtë që unë të mos përmendi burrat dhe gratë e këtij komuniteti arbëresh që i dhanë aq shumë ndihmë atdheut, në ruajtjen e identitetit, gjuhës,kulturës dhe traditave shqiptare me punën e tyre të palodhshme me shekuj të tërë.

Kush e dinte që nga ky vend i vogël që sot nuk ka më shumë se 6000 mijë banorë do të nxirrte gruan e parë shqiptare, shkrimtaren që iu kushtua mbledhjes së përrallave popullore, etnografja – Cristina Gentile Mandala (1856–1919).

Po në këtë komunë dhe rrethinën e saj lindën edhe shkrimtarët e mesjetes dhe rilindasit si;
Lekë Matrënga (1567-1619), Nikollë Filja (1671-1769), Nikollë Brankati (1675-1741),
Nikollë Keta (1741-1803), Gavril Dara i riu (1826-1885), Kristina Gentile Mandala (1856-1919), Zef Skiroi (1865-1927). Antonino Guzzetta (1922-2017), Zef Skiro Maji (1944), Margherita Scilippa, Giuseppe Schirò Di Modica, Giuseppe Schirò Di Maggio.

Shënime mbi autoren;
Emri i gjatë i autores është Giuseppina Demetra Schiroe lindur në Hora.
Giusi siq preferon ajo ta quajmë vjen nga familja e të madhit rilindas arbëreshit Zef Skiroi (Giuseppe Schiro).

Ka studiuar për letërsi në universitetin e Palermos dhe në Horën e Arbëreshëve punon në bibliotekën ”Giuseppe Schiro” si bibliotekare.

Ka shkruar shumë vepra në lidhje me kulturën dhe gjuhën arbëreshe, ku gjithashtu jep mësim mbi kulturën dhe gjuhën arbëreshe nxënësve arbëreshë të Horës së Arbëreshëve.
Merr pjesë në disa seminare mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare në universitetin e Prishtinës 2004-2007.

Fund
Në bisedë e sipër me Giusin rrugicave të ngushta të Horës ajo me më thotë, Ilir – ju jeni shpëtimi ynë, sa më të lidhur që ne jemi me njëri tjetrin aq më tepër ne do ti bëjmë ballë asimilimit tonë.
Me lot në sy i premtova vetes, se nga sot unë do punoj për ju dhe nuk do t’ju harroj kurrë.