100-vjetori i Anton Çetës, nga e mbara nuk është thjesht një ditë, por i gjithë viti, për të përmbushur detyrimin tonë karshi kësaj figure emblematike të botës shqiptare…
Anton Çetta, apo siç njihej edhe me nofkën Kryeplaku i Kosovës, në kohën kur populli shqiptar ballafaqohej me egërsinë dhe barbarinë serbe, që i kishte përçarë e hasmëruar armiku sllav, në propozim të një grupi të rinjsh nga Peja, kishte arritur që t’i prijë karvanit të pajtimtarëve që të falin gjaqe, plagosje e ngatërresa të rënda
Shkruan: Frrok KRISTAJ
Studiuesi që dha kontributin më të madh në letërsinë gojore shqiptare
ishte Anton Çetta. Rëndësia dhe vlera e materialeve të mbledhura e të
botuara nga Anton Çetta nuk shprehet vetëm në sasinë e tyre, por, para
së gjithash, në cilësinë dhe shumëllojshmërinë e tyre. Ai i mblodhi dhe i
publikoi (me botime të veçanta e nëpër revista shkencore) ato krijime
që kishin një kuptimësi të qenësishme për botën shqiptare në përgjithësi
dhe për botën shpirtërore të shqiptarëve në veçanti.
Ato krijime
ngërthejnë në vetë aso kuptimesh e aso vlerash që mund ta pasurojnë edhe
më shumë artistikisht shpirtin e shqiptarit. Me një fjalë, ai voli
materialet folklorike të kësaj letërsie të pavdekshme, në të cilën rreh
zemra e popullit, pasqyrohen aspiratat e mendimet kombëtare e uneversale
të tij.
Anton (nga i ati Lazër dhe e ëma Agata) Çetta u lind në
Gjakovë, më 3 janar 1920, pra para plot 100 vjetëve (3 janar 2020).
Ishte vetëm nëntë muajsh kur u shpërngulën prindërit e tij në Tiranë.
Atje ata jetuan tre vjet. Meqenëse i ati i Antonit – Lazëri i takonte
Partisë Demokratike të Fan S. Nolit, regjimi i mbretit Zog e kishte
burgosur. Pas lirimt nga burgu, Lazëri me bashkshorten Agata dhe djalin
Anton kthehen në Prizren. Në këtë qytet muze Anton Çetta kreu tri klasë
fillore te mësuesi zymjan Lazër Lumezi, që atëbotë ishte intelektual i
njohur. Pastaj, i ati i Antonit me familjen e vet migruan në Francë.
Këtë migrim e bëri nga frika se pushteti mbretëror e kishte në
shenjestër për ta riburgosur. Në Francë qëndroi deri në vitin 1928, ku u
kthye në Tiranë e ku qëndroi deri në vitin 1941. Gjatë asaj kohe Antoni
i kreu edhe klasat e mbetura të fillores, pastaj ndoqi mësimet në
Liceun e Korçës dhe më vonë atij iu akordua një bursë me të cilin ai e
vazhdoi shkollimin në Liceun klasik në Milano të Italisë.
Me të
kthyer nga Italia gjen punë në Post-telegrafinë e Tiranës prej nga kalon
në detyrën e përgjegjësit të Postës në Prizren. Në vitin shkollor
1945-1946 Anton Çetta punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë atij viti
udhëhoqi korin e shkollës, por njëherësh ishte edhe ndër anëtarët e para
të rregullt të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi” të Prizrenit e më
vonë edhe kryetar i saj.
Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në
Fakultetin Filologjik (dega e gjuhës frënge) të Universitetit të
Beogradit (në Serbi). Studimet i krue në vitin 1950 ku edhe u emërua
asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në
kuadër të Fakultetit Filologjik të Uneversitetit të Beogradit. Në këtë
detyrë punoi plot dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së bashku
me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me
Kadri Halimin, etnograf, përgatiti (në tri vëllime) këngët më të
njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin. Meqenëse në
ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e
Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e
shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë në vitin 1961,
kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik. Në këtë
fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku
ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër popullore (shqiptare).
Në vitin
1968 kaloi në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Atje udhëhoqi
degën e folklorit. Plot tëtëmbëdhjetë vjet punoi në Institutin
Albanologjik, pra deri në vitin 1986, kur edhe u pensionua.
Për
aktivitetin shkencor, kulturor e kontributin e tij në përkthimin e shumë
veprave, Anton Çetta u laurua shumë herë me çmime e shpërblime të
njohura, e ndër to edhe me Çmimin e Dhjetorit.