Disa njerëz të njohur të medias, pasi u bënë të njohur si gazetarë, shkruajnë sot për incidentin e protestës së opozitës, po flasin për “rrahjen e Berishës”. Ndoshta janë titujt e gazetave prestigjoze si “Tema” që po i bëjnë transfuzion raportimit me termin “rrahje“. Kur në fakt është vetëm një goditje.

Rrahja është goditje e përsëritur, në rrethanat e një ndeshjeje apo pusie prej dikujt apo disave me synim neutralizimin fizik apo lëndimin. P.sh agresorin e Berishës e rrahën duke e goditur disa herë.

Sali Berisha mori një grusht surratit – ja fjalia më e përshtatshme për kodin etik të mediave të së majtës zyrtare që do të respektonte dinamikën e ngjarjes. Sali Berishën nuk e rrahu kush. Të themi të vërtetën. Ka me mijëra njerëz në Shqipëri që ndoshta do të donin që Sali Berisha të rrihej paq, rëndë, apo vëndçe. Kjo dihet. Por kjo nuk ndodhi. Ndodhi diçka tjetër në kuptimin fizik dhe kuptimin gjuhësor.

Për ta kuptuar ata që nuk munden, një shembull. Edi Ramën e rrahën në vitet ’90. Nuk dihet kush, por e rrahën saktë dhe pastër dhe kështu na e poftisën si figurë kombëtare meqenëse siç duket druri të mat kaplloqen dhe të ujdis mirë. Sepse ka dalë nga xheneti. Ka foto që provojnë se z. Rama e kishin rrahur, foto të cilat ai i bëri për të promovuar faktin se ishte dhunuar.

Dje z. Berisha e goditën. Ta ndajmë këtë sepse ka rëndësi. Edhe pse në të dyja rastet: ka qenë një akt dhune që ka pasojë politike.

s.zaimi