Nëse dëshironi të jeni sa më të shëndetshëm të jetë e mundur, nuk keni nevojë as për pistë vrapi e as për vegla apo pesha. Mjafton të shihni rastet e njerëzve më jetëgjatë nëpër botë, të cilët jetojnë në zonat e ashtuquajtura Zona Blu, ata nuk shkojnë as në palestër e as nuk marrin pjesë në maratona.

Në vend të kësaj, ata jetojnë në mjedise që vazhdimisht i bëjnë ata të lëvizin pa e menduar fare fenomenin e ecjes për detyrë, kjo do të thotë më konkretisht se ata realizojnë kopshte në kushte shtëpie, ecin gjatë gjithë ditës sa më shumë të munden dhe minimizojnë në maksimum komoditetet mekanike për punët në shtëpi, kopsht apo kudo qoftë.

Në fakt, studiuesit e Zonave Blu përcaktuan që lëvizja rutinore natyrore është një nga mënyrat më me ndikim për të rritur jetëgjatësinë tuaj, dhe një zakon i përhapur në mesin e popullatave me jetën më të gjatë në botë. Sigurisht që kjo mund të mos duket realiste në ekonominë e sotme, ku shpesh jemi të detyruar të rrimë ulur në një tavolinë dhe para një ekrani kompjuteri gjatë gjithë ditës.

Të ecësh natyrshëm gjatë gjithë ditës mund të duket e këndshme dhe romantike, por realiteti është që 100 vjet më parë vetëm 10% prej nesh kishin punë të ulur, ndërsa sot ky lloj realiteti përbën ka arritur në 90%. Sidoqoftë, ka ende mënyra të lehta për të shtuar më shumë lëvizje në stilin e jetës tuaj të ngjeshur.

Një nga mënyrat më të mira për ta bërë këtë është përdorimi në mënyrë aktive të transportit, pra të evitoni sa më shumë makinat, autobusët dhe të ecni sa më shumë apo të përzgjidhni biçikletën si mjetin lëvizjeje alternativ.

Kërkimet tregojnë se ushtrimi më i gjatë që ju mund të keni gjatë një dite pune normale është një shëtitje 15-minutëshe vajtje ardhje, por sidoqoftë çdo aktivitet fizik i ndërtuar përgjatë rrugëtimit tuaj është një plus.

Një studim i fundit nga Shoqëria Amerikane e Kancerit zbuloi se ecja për gjashtë orë në javë rezultoi se ndikon në uljen e rrezikut të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet e frymëmarrjes dhe kanceri. Por studimi tregoi gjithashtu edhe ecja për vetëm dy orë në javë mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve dhe t’ju ndihmojë të jetoni më gjatë.

Nëse shëtitjet e gjata nuk janë gjëja juaj, atëherë ju mund të bëni lëvizje më të shkurtra por të shpeshta për gjatë ditës si në punë ashtu edhe në shtëpi për të paktën 5 min  në një orë.

Përfundimi  është se trupat tanë janë krijuar për të lëvizur dhe kjo nuk do të thotë domosdoshmërish të shkosh në palestër. Ju nuk keni nevojë të ngrini pesha të rënda ose të ushtroheni intensivisht për të jetuar një jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Lëvizja e thjeshtë dhe natyrale mund të ketë më shumë ndikim, ndaj bëni siç bëjnë qindvjeçarët e botës: lëvizni natyrshëm. (Quartz)

Edel Strazimiri