Turqia ka reaguar zyrtarisht për aktin e njohjes së gjenocidit armen nga SHBA. Ministri i Jashtëm Mevlut Cavusoglu ka shkruar në tuiter se: Fjalët nuk mund ta ndryshojnë historinë. Ne nuk do të marrim leksione për historinë nga askush.

Po kështu, Ministria e Jashtme ka thirrur ambasadorin amerikan në Ankara, David Stterfiled për të shprehur pakënaqësinë e vet për aktin e presidentit Biden, që sipas palës turke: ka shkaktuar një plagë në marrëdhëniet mes të dyja vendeve që është e vështirë të riparohet.

Më tej, Ministria e Jashtme e Turqisë ka dalë me një deklaratë të posaçme, përmes së cilës dënon: në termat më fortë deklaratën e Presidentit amerikan rreth ngjarjeve të vitit 1915, marrë nën presionin e qarqeve radikale armene dhe grupeve anti-turke

Në të njëjtin dokument citohet një vendim i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe shtohet se për këtë çështje, Turqia ka propozuar në vitin 2015 krjimin e një Komisioni të Përbashkët për Historinë me palën armene.

“Turqia nuk ka shmangur asnjëherë përballjen me historinë e vet”, thuhet në deklaratë.

Akti i Biden ishte njoftuar më herët dhe ai i bën jehonë një teze armene që pretendon se në vitin 1915, Perandoria Otomane kreu gjenocide ndaj armenëve, një popull nën sundimin e saj duke çuar në vrasjen e rreth 1.5 milionë njerëzve.