Siç e paralajmëroi Edi Rama në parlament ditën e enjte, Sali Berisha u shpall non grata nga Britania e Madhe. Vetë ambasadori britanik refuzoi të bënte publikë emra të personave që qeveria e vendit të tij shpalli non grata, por Berisha e pranoi vetë këtë në një konferencë me gazetarët në Partinë Demokratike.

Në letrën që lexoi para gazetarëve, Berisha tha se në motivin e shpalljes non grata ishte dhënë emri i Damir Fazlliç, një biznesmen serbo-boshnjak me nënshtetësi britanike që u akuzua për një aferë korrupsioni gjatë qeverisjes së tij.

“Disa orë pasi Edi Rama dha lajmin për vendimin që do të merrte qeveria e MB, jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në MB me arsyetimin

1. Se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe

2. Për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese” lexoi Berisha në letrën e shkruar për komunikimin publik.

Berisha tha se do të këshillohej nëse mund të ndërmerrte hapa ligjorë kundër këtij vendimi, të cilin e quajti të sponsorizuar nga mafia shqiptare. Në fjalën e tij në konferencën për mediat, kreu i Partisë Demokratike u përqëndrua kryesisht në aferën e Damir Fazliç si shkak për shpalljen non grata.

“Të akuzosh një tjetër për një aferë, për një çështje të një personi 14 vite më parë, e cila është zbardhur 100% dhe që vazhdon të bëjë biznes intensiv në Shqipëri, do të thotë të jesh i mashtruar në shkallën më eprore. Dhe këtë mashtrim e gënjeshtër mund ta bëjë vetëm mafia shqiptare”, tha Berisha.

Kjo është e dyta herë që Berisha shpallet non grata, pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit në maj të vitit të kaluar. Edhe kësaj radhe, kreu i partisë më të madhe në opozitë akuzoi miliarderin Xhorxh Soros për ndikim në marrjen e vendimit.

“Vetëm në Europë, ai ka insistuar 18 miliardë euro në opinione. Kështu që, lidhjet e Edi Ramës me George Sorosin janë shumë të njohura” u shpreh Berisha.

Zëri i Amerikës zbuloi akoma më shumë nga përmbajtja e letrës që i ka mbërritur Sali Berishës nga Sekretari për Mbrojtjen në Mbretërinë e Bashkuar. “Në letrën zyrtare nga Londra drejtuar zotit Berisha theksohet se ai mban lidhje me kriminelë që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë Bashkuar, të cilat ai është I gatshëm t’I përdorë për të arritur ambicjet e veta politike” raportoi Zëri i Amerikës.

Vendimi vjen pasi i dërguari i qeverisë britanike për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach tha se një valë e parë ndalimesh është aplikuar nga Britania e Madhe këtë javë.

“Ne ndërmorën veprime frenuese kundër disa individëve shqiptarë në lidhje me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara. Kjo është vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë” shkruaji Stuart Peach, duke vazhduar “mbështetja që disa figura publike marrin nga kriminelët në shkëmbim të akteve të tyre korruptive, e mbyt zërin e qytetarëve shqiptarë. Siç tregon edhe raporti i OSBE-së për monitorimin ndërkombëtar të zgjedhjeve të vitit të kaluar, blerja e votës dhe keqpërdorimi i fondeve publike vazhdon të jetë një problem madhor në politikën shqiptare. Për aq kohë sa politikanët janë në gjendje të bashkëpunojnë me kriminelët për të blerë, shantazhuar dhe kanosur votuesit, demokracia shqiptare do të mbetet e brishtë dhe e paplotë”.