Fondacioni “Soros” në Shqipëri dhe në Kosovë ka realizuar një sondazh me titull: Kosovë-Shqipëri, vlerat, besimet, bashkëpunimi dhe bashkimi. Janë pyetur 2,504 qytetarë në të dyja vendet: 1,200 në Shqipëri dhe 1,304 në Kosovë (1,004 shqiptarë dhe 300 serbë) për një seri çështjesh të cilat ndërlidhen tek ideja e një bashkimi eventual mes të dyja shteteve.

Meqenëse gjithë anketa lidhet me këtë temë, është me interes të sillen të dhënat për këtë çështje në mënyrën si I shohin qytetarët të dyja vendeve.

Sa i përket qëndrimeve rreth idesë së bashkimit në një shtet të vetëm, shumica e të anketuarve  shqiptarë në të dy vendet, por në një nuancë më të madhe në Shqipëri (74.8%), se sa në Kosovë (63.9%), janë në favor të idesë së bashkimit dhe do të votonin ‘pro’ në rast se u jepet mundësia në një referendum. Por të anketuarit besojnë se të tjerët në rrethin e tyre janë më pak të gatshëm që të votojnë pro bashkimit. Po ashtu, një numër më i madh i të anketurve nuk besojnë se bashkimi është i mundshëm, thuhet në raportin e përgatitur për këtë gjë.

Është interesant fakti se përqindja më e lartë e mbështetjes së bashkimit është në Shqipëri, ndërkohë që refuzimi është thuajse i njëjtë, rreth 16%. Nga ana tjetër, në Shqipëri nuk janë të gatshëm të paguajnë taksë për bashkimin në masë më të madhe sesa në Kosovë. Një tjetër element është fakti se në shumicë, shqiptarët si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, preferojnë më parë BE-në sesa bashkimin kombëtar.

Shqiptarët e të dy vendeve, 84.7% e të anketuarve në Shqipëri dhe 66.4% në Kosovë, zgjedhin më parë Bashkimin Evropian se sa bashkimin kombëtar, thuhet në dokument.

Kundër marrëveshjeve për ndryshimin e kufijve, shqiptarët e të dyja anëve duket se janë të ndarë në pikëpamje sociale sa i përket idesë së bashkimit.

Shumica absolute e të anketuarve në të dy vendet janë kundër një marrëveshje e cila përfshin ndryshimin e kufinjve të Kosovës, edhe nëse kjo do të nënkuptonte njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës nga Serbia, anëtarësimin në OKB apo hapjen e rrugës për bashkim kombëtar

Nga ata që nuk e dëshirojnë bashkimin kombëtar, vërehet një refuzim më i madh në zona urbane, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Për nga shtrirja gjeografike, të anketuarit në rajonin e Prishtinës janë në shkallë më të madhe kundër bashkimit kombëtar, kurse në Shqipëri janë të anketuarit e zonës qendrore, vlerëson raporti.