Serbia dhe Kroacia janë aktualisht më të rëndësishme për ekonominë gjermane sesa Rusia. Të paktën kështu thuhet në analizat e fundit të ekspertëve.
Gjermania dikur ka importuar 56% të gazit nga Rusia dhe ka pasur një shkëmbim prej dhjetëra miliarda euro. Por në gjysmën e parë të këtij viti, importet nga Rusia nuk arritën as 670 milionë euro – shumica e të cilave janë plehra artificiale dhe metale.
Ndërsa eksportet – kryesisht ilaçe, pajisje mjekësore dhe ndihma humanitare që nuk i nënshtrohen sanksioneve ndërkombëtare – kanë shkuar në vetëm rreth 3.5 miliardë euro.
Kështu, Rusia ra në vendin e 48-të në listën e partnerëve më të rëndësishëm të Gjermanisë, sipas të dhënave zyrtare. Po them zyrtare, sepse ka të tillë që thonë se Gjermania dhe Rusia kanë shkëmbime më të mëdha por përmes vendeve të treta. Sdq, këto janë të dhënat zyrtare.
Ndërkohë ndër vendet lindore, Serbia është në vendin e 9-të e Kroacia në vendin e 11-të të partnerëve të Gjermanisë. Tregtia me Serbinë arrin gati 890 milionë euro, që është një rritje prej 16.9% krahasuar me qershorin e kaluar. Por ky trend është ngadalësuar për shkak të protestave në Serbi.
Nga janari deri në prill 2025, investimet e huaja direkte kanë rënë në Serbi me 77% krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë Serbia vazhdon të jetë e 9-ta, ndër vendet lindore.
Partnerët më të rëndësishëm të Gjermanisë janë Amerika, Kina, Holanda dhe Franca. Por ndërkohë edhe Polonia është ngjitur në vendin e pestë, me një shkëmbim total prej mbi 90 miliardë eurosh.
Sa i përket Kosovës, ajo ka eksprtuar në Gjermani në periudhën janar-qershor mallra në vlerë prej rreth 50,9 milionë euro. Ndërsa ka importuar mallra në vlerë prej rreth 466 milionë euro, njofton Energy Monitor./Bahri Cani/MekuliPress.com/