Ish-kryeministri izraelit, Ehud Olmert, thotë se e vetmja zgjidhje për konfliktin Izrael-Palestinë mbetet zgjidhja me dy shtete. Në një intervistë për gjermanen “Der Spiegel”, Olmert thotë se nuk mund të ketë asnjë zgjidhje tjetër politike, ndërsa parashikon largimin e Netanjahut, i cili sipas tij nuk e ka besimin e izraelitëve.

Olmert thotë se suksesi i sulmit të Hamasit u bë i mundur pikërisht nga arroganca me të cilën Izraeli i ka parë arabët. Ai kujton edhe marrëveshjen e vitit 2011 që qeveria e Netanjahut bëri me Hamasin për lirimin e pengjeve, mes të cilëve ishte edhe lideri aktual i organizatës që kreu sulmin e 7 tetorit.

Olmert thotë se mban ende kontakte me liderin e Autoritetit Palestinez, Abu Mazen. Plani i Olmert parashikon zgjidhjen me dy shtete bazuar në kufijtë e vitit 1967, iniciativën e paqes të Ligës Arabe dhe shpalljen kryeqytet të shtetit palestinez pjesën arabe të Jerusalemit.

Pavarësisht emrave të rinj në politikën izraelitem te të cilët Olmet ka besim, thotë se ende nuk ka takuar atë që “i digjet gjoksi dhe është gati të humbasë popullaritetin”.

Nuk mund ta ndryshosh historinë historinë pa rrezikuar të bëhesh jopopullor. Unë nuk e kam parë ende një njeri të tillë.

Pjesë nga intervista:

A mendoni se një zgjidhje me dy shtete është ende e realizueshme?

Unë mendoj se Izraeli duhet të deklarojë tani, sot, se në fund të fushatës ushtarake, do të tërhiqet nga Gaza. Ne kemi nevojë që evropianët dhe amerikanët të dërgojnë një forcë ndërhyrje ushtarake në Gaza për një periudhë të përkohshme, sepse arabët dhe palestinezët nuk do të vijnë dhe ne, Izraeli, nuk duhet të qëndrojmë atje. Për të bindur amerikanët dhe evropianët, duhet të paraqesim një horizont politik. Menjëherë pas fushatës ushtarake, duhet të fillojmë negociatat për një zgjidhje me dy shtete. Unë mendoj se nuk ka zgjidhje tjetër politike.

A është e mundur të shkatërrohet Hamasi?

Ne nuk do të shkatërrojmë apo çmontojmë plotësisht Hamasin dhe nuk do të qëndrojmë në Gaza. Ne do të duhet të tërheqim 90 për qind të ushtrisë izraelite. Më e shumta që mund të mendojmë të bëjmë janë operacione specifike brenda natës për të hequr qafe objektiva specifike. Por kjo është shumë më e ulët se pritshmëritë që krijoi kjo qeveri. Ushtarët rezervë do të kthehen të hidhëruar dhe të mërzitur. Rreth 150 000 izraelitë nuk jetojnë në shtëpitë e tyre. Ata nuk mund të vijnë në jug se nuk ka shtëpi. Në veri, ata kanë shtëpi, por nuk duan të rrezikojnë të jenë subjekt i një operacioni të ngjashëm. Dhe qeveria nuk ka besueshmërinë për t’i bindur ata. Të gjithë këta njerëz të zemëruar bashkohen me njerëzit që u kishte ardhur në majë të hundës nga Netanyahu më parë për shkak të reformës në drejtësi dhe nepotizmit. Hidhërimi dhe zhgënjimi do të kthehen në një tërbim që do të shpërthejë si një vullkan. Dhe në kulmin e gjithë kësaj, Bibi nuk do të jetë më kryeministër.

Çfarë duhet të ndodhë që ushtria të tërhiqet nga Rripi i Gazës dhe qeveria të thotë: Ne kemi arritur të paktën dy ose tre qëllime atje?

Pjesa më e madhe e Gazës është pothuajse plotësisht e shkatërruar. Mendoj se në fund, Gaza qendrore do të shkatërrohet plotësisht. Ndoshta ushtria do të jetë e suksesshme në eliminimin e një prej drejtuesve. Ne mund të kishim eliminuar Mohammed Deif dhe Yehiyeh Sinëar shumë kohë më parë.

Më thoni më shumë lidhur me këtë.

E di që Netanyahut i është ofruar herë pas here që ne mund t’i eliminojmë të dy në dy vitet e fundit. Por Bibi nuk e donte këtë.

A ishit pro marrëveshjes së vitit 2011, në të cilën 1027 të burgosur palestinezë u liruan në këmbim të pengut izraelit Gilad Shalit?

Jo, kur isha kryeministër, nuk pranova të bëja një marrëveshje që do të kishte qenë 10 herë më e mirë për Izraelin. Në mandatin tim flitej për 324 të burgosur dhe të gjithë ishin terroristë të vegjël. Kur po lija detyrën, morëm lajmin nga egjiptianët se Hamasi ishte i përgatitur të shqyrtonte një marrëveshje. Ata e dinin që Netanyahu do të zinte vendin time dhe menduan se do të ishte shumë më i ashpër. Në fund, unë refuzova, Netanyahu erdhi dhe liroi shumë terroristë të tjerë në 2011, duke përfshirë disa nga liderët e tyre dhe Yehiyeh Sinwar. Tani, Netanyahu e quan atë nazist, por në atë kohë, ai e liroi dhe e ndihmoi që të bëhej lider i Hamasit.

Në vitin 2021, ju thatë se Hamasi nuk përbën në të vërtetë kërcënim ushtarak me rëndësi për Izraelin. A do ta përsërisnit këtë deklaratë pas sulmeve të 7 tetorit?

Kur Bibi thotë se Hamasi përbën një kërcënim serioz ushtarak për vetë ekzistencën e Izraelit, nuk është thjesht një ekzagjerim i madh. Është një provë e gjallë e kolapsit total nervor. Pesë mijë luftëtarë, 10 000 apo edhe 15 000 pa tanke dhe aeroplanë përbëjnë një kërcënim ekzistencial për shtetin e Izraelit? Kjo është marrëzi.

Por terroristët e planifikuan operacionin e 7 tetorit në një mënyrë shumë të sofistikuar.

Kur hapni dyert dhe u thoni hajdutëve: Dëgjo, unë po shkoj të fle tani, kasaforta është atje, dhe ai e merr dhe ikën, atëherë është një kërcënim? Do të thotë që je idiot. Hamasi është armik. Nuk i nënvlerësoj. Kur ata fshihen nën tokë në Gaza, bëhet problem sepse kostoja e eliminimit të tyre është e lartë: për civilët në Gaza, për ushtarët dhe për pengjet.

Pra, pse 7 tetori 2023 krahasohet shpesh me sulmin e befasishëm egjiptian në Yom Kippur në 1973?

Ajo që shkaktoi 7 tetorin nuk ishte një dështim i inteligjencës izraelite apo teknologjive izraelite. Ajo që shkaktoi sulmet terroriste ishte arroganca. Arroganca me të cilën ne i kemi parë arabët. Çfarë mund të bëjnë – ata janë arabë! Pra, në vitin 1973, ata na dëshmuan se mund të jenë të zgjuar dhe të sofistikuar. Na mashtruan dhe na kapën me pantallona të ulura. Dhe tani ata bënë të njëjtën gjë. Ne pamë gjithçka, por nuk e besuam. Për shkak të arrogancës sonë.

A ishte gabim tërheqja e njëanshme nga Gaza në 2005?

Ka pasur sulme terroriste dhe sulme me raketa para vitit 2005. E gjithë kjo është harruar dhe tani fajësohet për shkëputjen. Ndërtimi i vazhdueshëm dhe konsistent i Hamasit ishte një strategji e llogaritur e Netanyahut. Pse e bëri? Sepse alternativa ishte të merreshim me Autoritetin Palestinez.

A i konsideroni ende Fatah dhe Mahmud Abbas (Abu Mazen) si partnerë për paqen?

Unë jam në kontakt me Abu Mazen edhe sot e kësaj dite. Unë ende shpresoj që Abu Mazen të nënshkruajë një deklaratë që miraton planin tim për një zgjidhje me dy shtete bazuar në kufijtë e vitit 1967, iniciativën e paqes të Ligës Arabe dhe bërjen e pjesës arabe të Jerusalemit kryeqytetin e shtetit palestinez. Ky është një plan paqeje shumë ambicioz për Izraelin dhe për palestinezët. Por nuk do të ketë kurrë më të mirë. Dhe nëse duam të arrijmë paqen, duhet të ecim përpara dhe ta bëjmë këtë një platformë për paqen e ardhshme. Mos më keqkuptoni. Palestinezët në Bregun Perëndimor nuk paraqitën kurrë një kërkesë për t’u bërë anëtarë të lëvizjes sioniste. Ata janë armiqtë tanë. Por a ka ndonjë tjetër me të cilin mund të bëhet paqe? Nëse nuk ke askënd tjetër, atëherë duhet të ulesh me të dhe të përpiqesh të gjesh zgjidhjen më të mirë të mundshme që do të jetë e mirë për shtetin e Izraelit.

Shumë njerëz e shohin shoqërinë izraelite duke shkuar në një drejtim tjetër, larg negociatave për një zgjidhje me dy shtete.

Herët a vonë, ne do të duhet të pajtohemi me veten dhe do të duhet t’i përgjigjemi pyetjeve: Po tani? OK, ne do t’i shkatërrojmë ata. Ne i vrasim të gjithë terroristët. A duam të marrim kontrollin e 5 milionë palestinezëve pa u dhënë atyre të drejta politike? Të drejtat e njeriut? Te drejtat civile? Të drejtën e votës? Kjo është marrëzi. Disa njerëz janë ende në atë fazën që i thonë vetes gënjeshtrat që ata mendojnë se mund t’i besojnë. Përfundimisht, ata do ta kuptojnë.

Por për këtë ju duhet një udhëheqës i fortë izraelit për t’i bindur ata.

Nuk e kam ende identitetin e tij. Kemi djem të mirë në politikë: (Benjamin) Gantz, (Yair) Lapid, (Gadi) Eisenkot. Por unë jam duke kërkuar për dikë që i digjet gjoksi dhe që do të jetë gati të bëhet jopopullor. Nuk mund ta ndryshosh historinë historinë pa rrezikuar të bëshesh jopopullor. Unë nuk e kam parë ende një njeri të tillë.