Kryeministri Rama e ka cilësuar grupin që mbrojti Teatrin për dy vite, si një grup të amalgamuar me opozitën që sipas tij u kthye në uzurpatorin e godinës.

Në intervistë për News24, Rama nuk pranoi se policia ushtroi dhunë ndaj protestuesve ditën e prishjes së Teatrit. Përkundrazi, sipas tij policia kishte një sjellje evropiane.

“Të gjitha janë ekzekutuar shumë mirë sipas procedurave. Fakti që godina e teatrit u uzurpua për 2 vite e gjysmë nga një grup njerëzish, artistë apo jo nuk bën diferencë dhe jo komuniteti teatror, i amalgamuar me partitë politike shteti nuk mund të toleronte.

Shteti nuk ka pasur asnjë kontroll për 2 vite e gjysmë. Për të mos krijuar konflikt për të mos provokuar përplasje, për të mos shkuar në veprimin final është harxhuar 2 vite e gjysmë. Është krijuar bindja që ai grup njerëzish që në thonjëza u barrikadua për të mbrojtur teatrin, janë një grup njerëzish që nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të dialogojnë, nuk duan t’i bashkëngjiten pjesës dërrmuese të komunitetit teatror që e nisi me protestë por u ul në tryezë dhe sot kërkon si shumica dërrmuese e gjithë shqiptarëve një teatër të ri kështu që meqenëse të gjitha u ezauruan erdhi momenti për t’i hapur rrugë teatrit të ri. Kurdo që do bëhej do ndodhte e njëjta gjë.

Policia e shtetit është sjellë si polici evropiane. Nuk kam parë asnjë skenë, asnjë pamje, asnjë provë, për të kundërtën.”, tha Rama.