Sebastian Zonja

Historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se në raste krizash dhe fatkeqësish të mëdha, nuk kanë munguar as lukunitë e çakejve.
Në shumicën e këtyre rasteve nuk kemi parë të publikuar, as përpara, as pas, bilance të rregullt që të jenë certifikuar nga institucione përkatës. Dyshimet janë se shifrat për tërmetin tragjik të 26 nëntorit, mund të fryhen për të abuzuar si gjithnjë. ‘4 sy’ për vlerësimin e një banese, një laps dhe një gomë për dokumentet zyrtarë.

Për mua është e vështirë të pranoj që me taksat e paguara nga qytetarët e Shqipërisë, të rindërtohen banesat dhe pallatet e shembur. Një gjë e ktillë do të duhej të bëhej së pari me sekuestrimin e pasurisë së atyre që përfituan nga kjo masakër urbane. Le ta nisë anti-KÇK-në me këta, kreu i qeverisë.

Shembja e urës Morandi, në Genova, solli arrestime të shumë funksionarëve të lartë italianë. (Këtu vlen të përmendim mbikalimin e Shkozetit që është bërë i pakalueshëm)
Po ashtu, pas tërmetit në Turqi, mbi 300 persona, ndërtues, zyrtarë, urbanistë, inxhinjerë etj përfunduan nëpër burgje dhe me pasuri të sekuestruara. (Këtu vlen të përmendim gërryerjen e lumenjve dhe cungjet e urës së Matit)

Në rastin e Shqipërisë, pas kësaj tragjedie që na pllakosi, duke e ditur se do të ketë arrestime masive dhe sekuestro pasurish, pyes veten kush do t’i ndërtojë pallatet dhe banesat me PPP?

P.S. U prehshin në paqe dhe dritë u pastë shpirti atyre që u larguan nga jeta si pasojë e kësaj flame!