Përkthyer dhe përgatitur nga MekuliPress
Një operacion ushtarak i përmasave të paprecedenta, i quajtur “Operacioni Luani që Ngjallet” (“Operation Rising Lion”), është zbuluar së fundmi si ofensiva më e madhe izraelite ndaj Iranit që nga lufta Iran-Irak në vitet ’80. Operacioni, i cili përfshiu infiltrime tokësore, sabotazh, përdorim të dronëve eksplozivë dhe një skenar mashtrues për të joshur komandantët iranianë në një grackë, është konsideruar nga ekspertë si “i rrezikshëm dhe shumë i sofistikuar”.
Spiunë, dronë dhe armë të kontrabanduara
Sipas burimeve të shumta ndërkombëtare si Haaretz, Wall Street Journal, The Economic Times dhe Reuters, operacioni është kryer në bashkëpunim mes forcave të armatosura izraelite dhe shërbimit sekret Mossad. Spiunë izraelitë kanë arritur të fusin në mënyrë të fshehtë armë precize dhe dronë me eksploziv brenda territorit iranian shumë kohë përpara sulmit që ndodhi natën e së premtes.
Foto: Ky pamje nga ekrani, e marrë nga një video e publikuar nga shërbimi sekret izraelit Mossad, pretendohet të tregojë ushtarë izraelitë në territorin iranian përpara sulmit të së premtes.
Foto: Pamje nga ekrani / Mossad
Sipas një burimi të Haaretz, Mossad kishte ngritur madje një bazë të fshehtë ushtarake brenda Iranit, ku ruante pajisje sulmuese dhe teknologji për neutralizimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore iraniane. Dronët janë përdorur për të goditur baza ushtarake afër Teheranit, ndërsa njësi speciale izraelite kanë vendosur sisteme të avancuara armësh në automjete për të sulmuar nga brenda vendit.
Komandantët iranianë, të mashtruar dhe vrarë
Një pjesë e rëndësishme e operacionit ishte një mashtrim i sofistikuar. Sipas Fox News, Izraeli arriti të manipulonte sjelljen e komandantëve të lartë iranianë të mbrojtjes ajrore duke i shtyrë të mblidheshin për një takim të rremë – që më pas u kthye në objektiv për sulm. Tre nga figurat më të fuqishme ushtarake të Iranit dhe disa shkencëtarë bërthamorë u raportuan të vrarë.
Reagimi iranian dhe pasoja të mundshme
Pas sulmit, Irani ka nisur një kundërsulm me dhjetëra raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian është zotuar për “hakmarrje të fuqishme”, duke thënë se “Izraeli do të pendohet”.
Sipas vlerësimeve të Institute for the Study of War, Izraeli mund të ketë goditur edhe magazina të raketave balistike për të penguar një reagim të menjëhershëm nga Irani.
Një operacion “pa precedent”
BBC e përshkruan “Operacionin Rising Lion” si “të pashembullt” për nga shtrirja dhe synimi. Eksperti norvegjez i mbrojtjes, Røseth, tha për gazetën norvegjeze, VG, se ky është një operacion me rrezik të madh, por që mund të ketë shkaktuar dëme të konsiderueshme në programin bërthamor të Iranit.
Ai paralajmëron se për Izraelin është thelbësore të shfaqë sukses dhe forcë – por edhe ekziston rreziku që, nëse ekzagjeron rezultatet ose përhap informacione të pasakta, mund të përballet me kritika të rënda ndërkombëtare.
Bilanci: Më shumë se 70 të vdekur
Sipas raporteve, mbi 200 avionë izraelitë morën pjesë në sulm, duke goditur më shumë se 100 objektiva, përfshirë ndërtesa banimi në Teheran, bazat ushtarake dhe objektet bërthamore. Deri tani janë konfirmuar mbi 70 viktima.
Situata mbetet e tensionuar dhe e paqartë. Shumë analistë paralajmërojnë për mundësinë e përshkallëzimit të një konflikti të gjerë në Lindjen e Mesme, ndërsa komuniteti ndërkombëtar është në pritje të reagimeve të mëtejshme nga të dy palët./MekuliPress.com/