Komisioni për Media është duke shqyrtuar shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit Publik.

Kryetarja e Komisionit, Doarsa Xhelili-Kica ka thënë se Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i ka rekomanduar këtij komisioni të iniciohet shkarkimi i anëtarëve të Bordit të RTK-së për shkak të paaftësisë së tyre profesionale, bordi i ri të jenë personalitete me integritet të lartë dhe të iniciohet plotësim ndryshimi i Ligjit për RTK-në.

Mërgim Lushtaku, anëtar i komisionit nga PDK, tha se shkarkimi i këtij bordi nga Lëvizja Vetëvendosje është politik.

“Mos të iniciohet shkarkimi i bordit të RTK-së për arsye politike. RTK ka ngecje të mëdha, pavarësisht mbështetjes nga Kuvendi, por gjetjet nuk kanë qenë bazë për të nisë shkarkimin. Nuk ka asnjë kriter për zgjedhjen e një anëtari të bordit dhe kjo është mangësi në ligjin e RTK-së. Për mua, ka vullnet për shkarkim, këto shkarkime po bëhen për çështje politike por është në vullnetin e mazhorancës”, tha ai.

Agim Veliu, deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se shkarkimi i anëtareve të bordit të Radio Televizionit Publik ka për qëllim kapjen e këtij mediumi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas Veliut është e papranueshme kjo formë e shkarkimit të anëtarëve të bordit të RTK-së.

“Nuk është bërë një vlerësim i duhur për anëtarët e bordit. Rekomandimi është politik dhe ka për qëllim kapjen e një mediumi që duhet të jetë i pavarur. Kjo formë është e papranueshme është dashur të bëhet vlerësimi i secilit anëtar”, tha ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani ka deklaruar se Bordi i RTK-së dhe bordet paraprake nuk e kanë kryer detyrën si duhet, duke shtuar se ka çështje që duhet të merret prokuroria.

“Të gjithë të dimë që RTK-ja është e kapur dhe ajo ka nevojë për reformim. Jam për që kjo iniciativë të përcillet në Kuvend dhe Kuvendi të vendosë për këtë dhe njëherë e përgjithmonë, ky transmetues publik të fillojë të reformohet dhe të japë llogari në fund. Qe 6 vjet nuk kalon raporti i përformancës në këtë Komision, ka tejkalim të buxhetit dhe nuk është dhënë strategji se si RTK-ja të dalë nga ky kolaps”, ka thënë ai.