Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar Anton Çettën në 25-vjetorin e vdekjes së tij.

Ajo në një komunikatë për media ka thënë se do të kërkojë nga Kryesia e Kuvendit që shtatorja e tij të vendoset në oborrin e Kuvendit.

Sipas saj, shtatorja e tij do t’i bënte nder jo vetëm kryeqytetit por tërë Kosovës.

“25 vjet më parë iku pajtimtari, mbledhësi i folklorit e atdhetari Anton Çetta. Ai e bëri ta pamundshmen në një kohë të pamundshme, kur mblodhi rreth vetes shqiptarët për t`i pajtuar, për ta mbyllur plagën shekullore. Ideja e tij për pajtimin nuk ka marrë fund. Ëndrra vazhdon, teksa nevoja për pajtim e unifikim vjen e rritet në këto kohë të zorshme për vendin”, shkruan Osmani.

Osmani tutje ka shtuar se Çetta ka lënë pas vetes 1200 gjaqe të falura.

“Ne nuk arritëm ende ta kemi një shtatore të tij të vendosur në një vend të denjë, ku mund të përkulemi e ta falënderojmë që në vitet 90 na ktheu shpresën, në mobilizoi e na bëri një rreth kauzës kombëtare”, ka shtuar tutje ajo.