Paracetamoli dhe ibuprofeni janë dy nga qetësuesit më të përdorur të dhimbjeve. Ata mund të përdoren për të trajtuar probleme si temperatura, gripi, artriti, dhimbjet gjatë ciklit dhe migrenat.

Paracetamoli vepron duke reduktuar sasinë e sinjaleve të dhimbjes në tru, ndërsa ibuprofeni vepron duke bllokuar prodhimin e prostaglandinave, hormone të cilat prodhohen nga trupi në përgjigje të dëmtimeve dhe sëmundjeve.

Meqënëse kanë ndryshime në mënyrën se si veprojnë, këto qetësues mund dhe të përdoren bashkë me njëri – tjetrin. Por, është e rëndësishmeqë të mos kalohet doza e rekomanduar për secilin ilaç. Kjo sepse nëse merr shumë paracetamol, mund të jetë fatale, ose të shkaktojë dëmtim të mëlçisë. Në mënyrë të ngjashme, marrja e dozave të larta të ibuprofenit për një kohë të gjatë mund të rrisë riskun për atak kardiak dhe goditje në tru.

Nëse ndodh që mund të merrni më shumë nga këto ilaçe se sa është e lejueshme, paraqituni menjëherë në urgjencë dhe nëse është e mundur merrni me vete dhe ilaçin që keni konsumuar.

Por sa është e lejueshme të marrësh brenda një dite?

Sipas specialistëve, nuk duhet të marrësh më shumë se një ose dy paracetamolë 500 mg çdo 4 deri në 6 orë, apo jo më shumë se 8 paracetamolë brenda 24 orëve. Gjithashtu duhet të prisni një orë pasi e keni marrë paracetamolin që të japë efekt. Tregoni kujdes nëse po merrni dhe ilaçe të tjera kundër migrenës, kollës apo të ftohtit, pasi ato përmbajnë paracetamol dhe përdorimi i të dy ilaçeve në të njëjtën kohë mund të çojë në mbidozë.

Ndërsa, për sa i përket ibuprofenit, nuk duhet të marrësh më shumë se një ose dy pilula 200 mg çdo 4 deri në 6 orë, apo jo më shumë se 6 ibuprofenë brenda 24 orëve. Efekti duhet të jetë i shpejtë pasi ta keni marrë.

Për të qenë më të qartë ndiqni udhëzimet në fletët shoqëruese që ndodhen në paketimin e këtyre qetësuesve.