Parësore të ndalet “vallja e djallit”!

Valentina Saraqini

E çuditshme që nën hijen e ngjarjes së ditur e të pritur- vendimin e Gjyktatës Kushtetuese (në favor të dekretit të Presidentit) ka mbetur dhe disi po shpërfillet nga disa mediume, skandali i ish ministres së Integrimeve Evropiane në Qeverinë Haradinaj 2.
Ajo, sipas hulumtimit të Kallxo.com, ka dhënë 168000 euro për lobim për ndryshim të kufijve të shtetit tonë Kosovës !?

Do të ishte e nevojshme që mediumet tona të paktën të përpiqen fort e të njoftojnë qytetarët e vendit, madje me hollësi, lidhur me skandalin që po çudit diplomatët e ekspertët nga disa vende mike, hisedare të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Një ditë pas publikimt të skandalit do të ishte etike që mediet tona të marrin reagimet dhe deklarata nga disa protagonistë politik. Sepse, besoj se qytetarët duhet ta dinë dhe kanë të drejtë që sa më parë të mësojnë përgjigjen në plotni për disa çështje:

1. Çfarë di dhe çfarë mendon ish kryeministri Haradinaj lidhur me skandalin e ish ministres për Integrime Evropiane, e cila ka angazhuar kompani për afirmimin e ndryshimit të kufijve të Republikës së Kosovës?
2. A thua e ka ditur Presidenti aktual i Republikës së Kosovës se gjatë vitit 2019 ish ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë Haradinaj 2, i ka dhënë 168000€ të buxhetit për një kompani të huaj për lobim, e për të afirmuar “modifikimin” e kufijve si qasje dhe rezultat i duhur në negociatat mes Kosovës dhe Sërbisë?
3. Ish ministrja e Integrimeve Evropiane a nuk ndjen përgjegjësi e të deklarojë publikisht lidhur me angazhimin për afirmimin e “modifikimit” të kufijve të vendit?
4. A ka shkelje të Kushtetutës?
5.A do të përgjigjen para drejtësisë ata që pa leje të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kanë shpenzuar buxhet për të jetësuar idenë që e cenon integritetin territorial të vendit, pra veprojnë për ndryshimin e kufijve të shtetit të Kosovës?
6. Pse ambasadori i Kosovës në Francë qenka vënë në shërbim të ish ministres, e cila pa dijeninë e Kuvendit dhe ndoshta edhe pa dijeninë e ish Kryeministrit Haradinaj, ka angazhuar kompaninë e huaj të afirmojnë ndryshimin e kufijve të vendit?
Skandali është i madh dhe duhet të publikohen të gjitha hollësitë e reagimet e të lartëpërmendurve në mediumet tona serioze.
Ky skandal dhe hapësira që duhet dhënë në mediat tona nuk lidhet fare me luftën për pushtet, por besoj se lidhet me obligimin qytetar të shpërfaqjes së fytyrës së vërtetë të protagonistëve, si edhe të prapaskenës dhe skenës ku janë ata që po punojnë drejt ndarjes së Kosovës.
Të gjithë duhet të kontribuojnë në luftimin e ideve dhe vepruesve që kanë hyrë në “vallen e djallit” dhe lojën e zjarrit, se këta “lojtarë” kanë qëllim të ndryshojnë kufijtë dhe ta ndajnë atdheut tonë.

Të ndalet kjo “valle” është parësore. Lufta politike për pushtet është dytësore.
Edhe mediet serioze , mbase e dinë këtë !