Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është drejtuar me sqarime shtesë qytetarëve të Kosovës, pas propagandës dhe arrestimeve të sotme në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, duke thënë se nuk ka kurrëfarë korrupsioni e keqpërdorimi. “Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit”, ka thënë ai.

Kurti përmes një adresimi në Facebook, ka argumentuar se ka besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe punën e saj.

“Qeveria jonë është e përgjegjshme dhe e drejtë. Kemi sjellë progres ekonomik dhe demokratik të paparë në Kosovën e pasluftës. Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite”, ka thënë Kurti.

Më tej kryeministri, ka dëshmuar se 97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha me shumë sinqeritet e me fakte, Kurti.

Më tej ai ka thënë se “qeverisja jonë me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovёs. Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj”.

“Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar”.

Kurti ka faktizuar dhe ka demantuar propagandën e mediave të ish pushtetarëve të pushtetit, duke thënë se “Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit. Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj”.

“Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artificiale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare”.

“Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe. Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës. Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze tё tyre do dëgjohen gjithnjё e mё rrallё”, ka thënë Kurti.

“Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit.

Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t’i fshehin edhe shumё gjatё”, ka thënë kryeministri.

Ndryshe, me urdhër të Prokurorisë Speciale,m policia ka arrestuar sot tre persona, nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime sa u përket blerjeve të rezervave shtetërore.

Prokuroria tha se të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

 

Në një konferencë për media pasditen e së premtes, ministria e Industrisë, Rozeta Hajdari, tha se policia gjatë bastisjeve ka marrë në cilësinë e provave dokumente, që janë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Ajo tha se Policia e Kosovës “nuk ka prezantuar certifikatë të sigurisë sekrete”, duke shtuar se marrja e këtyre dokumenteve është bërë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Hajdari ka thënë se dokumentet që janë marrë si prova në Ministri kanë qenë të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Hajdari shtoi se nuk ka asnjë dyshim te zyrtarët që janë ndaluar sot, ndërkaq u përgjigj edhe në pyetjen nëse do të japë dorëheqje:

“Unë nuk shoh asnjë arsye të jap dorëheqje, e them me përgjegjësi të plotë”, tha ajo.

Ajo përsëriti qëndrimin e shprehur më herët nga MINT-i se blerjet për rezervat shtetërore janë bërë duke respektuar ligjin. Por, ajo refuzoi që të japë detaje për rezervat shtetërore pasi informacione të tilla, sipas legjislacionit, janë sekret shtetëror.

“Ju njoftoj se vetëm 3 për qind e totalit të furnizimit kemi pasur vonesa gjatë vitit 2022 për të cilat vonesa me datën 8 qershor 2023 është njoftuar edhe Avokatura Shtetërore nga zëvendës sekretari ynë për inicim të procedurës gjyqësore”, tha Hajdari kur u pyet nëse mallrat e blera për rezervat shtetërore kanë arritur në Kosovë.

https://www.facebook.com/watch/?v=990019352265587

Aksioni i autoriteteve të rendit në MINT erdhi pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.