Për të shtatën herë më radhë Projektligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ka arritur të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Në seancën e të premtes, ky projektligj mori vetëm 36 vota për, por që për mungesë të vendimmarrjes sërish është proceduar për seancën e ardhshme.

Partia Demokratike e Kosovës, mos marrjen pjesë në votim të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës po e sheh si veprim të papërgjegjshëm, e nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se ky ligj është i dobët për një vlerë kaq të madhe.

Iniciuesi i projektligjit, deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyqi, thotë për KP se deputetët e LVV-së dhe LDK-së po sillen në mënyrë të papërgjegjshme karshi këtij projektligji.

“Kanë zgjedhur një rrugë tjetër, një rrugë për mos ta votuar dhe një rrugë që ta dezinformojnë qytetarin, thjeshtë duke iu thënë se me këtë projektligj po tentohet që të mbrohet një grup i caktuar i njerëzve të luftës apo i strukturës komanduese, që në fakt nuk është fare ashtu, nuk qëndron as ajo pjesa kur supozohet se po kufizohet liria e shprehjes apo fjala e lirë, sepse ky ligj nuk e cenon as lirinë e shprehjes, as fjalën e lirë”, thotë ai.

Ai thotë se pas reagimit të ambasadave të huaja në vend, kanë vërejtur një tërheqje të partive politike veçanërisht të LDK-së dhe të LVV-së për ta përkrahur këtë projektligj.

Të pakuptimtë e quan deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, mospjesëmarrjen në votim për projektligjin, ndërsa për partinë e saj siguron se do t’i kenë votat.

“Po më çudisin veprimet e disa subjekteve politike që në një formë kur është flasin, e ngritin zërin shumë lartë dhe atë po e bëjnë veç për poenë politike. Ndërsa, kur është puna që për vepruar konkret apo për të votuar nuk po votojnë, bile as nuk po abstenojnë në mënyrë që të mos bëhen votat për të kaluar ky projektligj. Unë nuk e di çka ka të keqe ky projektligj që nuk po votohet prej deputetëve”, thotë ajo.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se arsye se pse nuk po marrin pjesë në votim për këtë projektligj është për shkak se si i tillë nuk i përmbush as për së afërmi vlerat që ka UÇK-ja.

Ai theksoi se vlerat e luftës së UÇK-së do të duhej të ishin të mbrojtura me Kushtetutë dhe të mos kishte nevojë për një ligj të tillë.

“Ne duam që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të jetë vlerë e shquar e mbrojtur, ashtu siç është e madhe, por projektligji në rastin konkret nuk i përmbush as për së afërmi ato kërkesa që ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vlera e saj. Prandaj, kemi kërkuar që ta tërheq këtë ligj dhe ta bëjë një ligj ose të mos ketë fare nevojë për ligj, këto vlera të ishin të mbrojtura me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Janë të njëjtët faktor të cilët nuk e kanë marrë mundin në kohën kur është bërë Kushtetuta e Kosovës që ta përfshijnë UÇK-në e as luftën e popullit shqiptar për liri. Tash në një moment të caktuar në një periudhë të caktuar…ata po kërkojnë që ta fusin këtë projektligj, por po ashtu edhe me një këmbëngulësi të pakuptueshme, sepse duan me patjetër një ligj të dobët për një vlerë kaq të madhe”, thotë Selimi.

Megjithatë, PDK-ja është e vendosur për këtë projektligj dhe nuk do të heqin dorë nga ai.

Bytyqi, thotë se “nuk tërhiqemi nga ky ligj, nëse dikush mendon nga këto grupe se duke mos e votuar ne do të tërhiqemi atëherë e kanë gabim, sepse do të shkojë deri në fund të mandatit, ndoshta në mandatet e tjera, kurdo që vjen ose së paku deputetët duhet ta thonë fjalën e tyre dhe të mos veprojnë në këtë formë duke mos pasur guxim as që të ngrenë dorën.

Lidhur me projektligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin reaguar edhe ambasadat e huaja në vend duke thënë se ky projektligj cenon lirinë e shprehjes dhe kishin bërë thirrje që i njëjti të mos miratohet.