Në Maqedoninë e Veriut nuk janë duke u shuar shpresat se mund të ketë një kthesë gjatë Samitit në Bruksel rreth datës së negociatave. Presidenti Pendarovski thotë se i gjithë kreu i shtetit është duke lobuar deri në momendtin e fundit që të merret data për fillimin e negociatave. Ministri i Jashtëm Nikola Dimitrov thotë se nuk mund as që ta paramendojë se një nga politikanët më me ndikim në botë –Presidenti francez Emanuel Macron mund të bëjë një gabim të tillë strategjik.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, pavarësisht vendimit nga Brukseli, thotë se vendi duhet ta vazhdojë rrugëtimin europian që sipas tij mbeten përcaktime strategjike për Shkupin.

“Në këtë moment nuk do ta shprehja qëndrimin se do të refuzohet kërkesa jonë për çeljen e negociatave, për shkak se Kryeministri Zaev, Zv/Kryeministri Osmani, ministri i Jashtëm Dimitrov jemi duke lobuar deri në momentin e fundit për të marrë një formulim që do t’i vlerësojë përpjekjet tona gjatë periudhës së kaluar. Nëse nuk marrim një datë tani, rreth përcaktimit strategjik, ne si vend, pa marrë parasysh kush është në qeveri, duhet të vazhdojmë mëtej deri në anëtarësimin e plotë në BE.”-shprehet Stevo pendarovski, President i RMV-së.