Ish-politikani serb, Nenad Çanak, thotë se Perëndimi ia ka frikën ndikimit rus në Serbi, ndaj ka shtuar presionin mbi palën kosovare në përpjekje për të futur në shina dialogun mes dy vendeve.

«Mendoj se prezenca e ideve fashiste të Rusisë në Serbi është shumë e fuqishme. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë çfarë po munden për ta shkëputur Serbinë nga ndikimi rus. Për këtë arsye ata po shfaqin durim të pakufishëm drejt udhëheqjes së Serbisë, veçanërisht presidentit Vuçiq. Qëllimi i tyre i vetëm është ta largojnë Rusinë nga Serbia sateliti i saj – Republika Serbe. Kjo praktikisht është arsyeja se pse presioni është zhvendosur tek gjithë të tjerët, përfshirë Kosovën”, është shprehur Çanak.

Çanak, i cili pas dorëheqjes nga kreu i socialdemokratëve të Vojvodinës i është rikthyer shoqërisë civile, thotë se aktualisht në politikën serbe ka rritje të etno-nacionalizimit, dhe ideve mikro imperialiste në pjesën lindore të Bosnjë-Hercegovinës, Mal të Zi dhe në veri të Kosovës.

Për shkak të kësaj mendoj se të ashtuquajturat negociata janë të kota, sepse të arrihet marrëveshje kur nuk keni një pikë të qartë nisëse. Ka një shprehje që preferoj ta përdor në raste të tilla: është e pamundur ta zgjosh dikë i cili aktron sikur po fle. Pra, kur dikush nuk është duke fjetur por vetëm bën sikur, nuk mund ta zgjosh. E njëjta vlen edhe këtu. Nuk mund të bësh marrëveshje me dikë që nuk do marrëveshje. Sepse marrëveshja duhet të jetë mes dy shteteve sovrane. Në atë moment kur ka marrëveshje mes shteteve de facto, jo domosdoshmërisht de jure. Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka dyshime në këtë. Kur flet me njerëzit në Serbi edhe politikanët që i njohin rrethanat privatisht të thonë se Kosova natyrisht që është e pavarur, por nuk mund ta pranojmë atë për arsye të ndryshme dhe të shumta.

Çanak shton se zgjedhjet e reja në veri nuk do ta zgjidhin situatën, ndërsa nuk sheh shpresë as te opozita serbe, e cila sipas tij është edhe më e keqe se pushteti aktual.