Artikulli që po publikon sot e pavarura MekuliPress është botuar më 22 gusht 1919 në gazetën amerikane The Chicago Tribune and the Daily News, New York, nën titullin “PREPARING FOR THE NEXT WAR – THE ALBANIAN CAUSE”. Ky tekst është një dëshmi tronditëse dhe historikisht e rëndësishme për fatin e shqiptarëve në fund të Luftës së Parë Botërore, në prag të vendimeve të Konferencës së Paqes në Versajë. Në artikull ngrihen zëra të fuqishëm në mbrojtje të Shqipërisë dhe dënohen mizoritë serbe, greke dhe malazeze ndaj shqiptarëve, përmbledhë tekstin MekuliPress. Artikulli paralajmëron me kthjelltësi se padrejtësitë ndaj shqiptarëve do të jenë shkak për luftëra të reja, gjë që historia e mëvonshme do ta vërtetojë.
Më poshtë është përkthimi fjalë për fjalë i artikullit.
PËRGATITJE PËR LUFTËN TJETËR – ÇËSHTJA SHQIPTARE
Sa u njoftua që Konferenca Botërore e Paqes do të mbahej në Versajë, qindra e qindra përfaqësues të interesuar vërshuan në këtë vend historik, ku do të vendosej e ardhmja e popujve. Ndër ta ishin edhe shqiptarët, të cilët, duke besuar në deklaratën solemne të Aleatëve, se ata luftuan për të mbrojtur të drejtat nga tirania dhe për të siguruar paqe universale, arritën me shpresë të madhe.
Por, për zhgënjimin e tyre të madh, kur mbërritën aty, ata mësuan se kohët e drejtësisë ende do të kërkohen në të ardhmen – dhe që mund të jetë e mundshme që për t’i zgjidhur problemet e dallimeve të ndërsjella. Kombe të vogla dhe pa miq, si Shqipëria, do të sakrifikohen në tryezën e Paqes për përfitimin e të fuqishmëve.
E tillë është fati i Shqipërisë — Belgjika e dytë — një viktimë e shekujve që shkuan. Kjo ditë, kur ajo ngre zërin e saj, jo për simpati, por për drejtësi, për pavarësinë dhe integritetin territorial të saj, asnjë përfaqësues i saj në Konferencën e Paqes nuk do të mund të marrë vëmendje serioze për territorin e saj, i cili iu mohua nga Traktati i Berlinit në vitin 1878 dhe sidomos nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, por po mendohet të copëtohet edhe më tej.
Çfarë do të bëjmë me të? A do t’ia japim si shpërblim atyre që e masakruan, e shkatërruan, e poshtëruan, e dëbuan mijëra burra, gra dhe fëmijë nga shtëpitë e tyre?
Z. Venizelos thotë se i gjithë Epiri i Veriut është grek. Nëse popullsia e Epirit është greke, pse Greqia vrau 12,000 shqiptarë, pse dogji 300 fshatra, pse vrau 8500 gra dhe fëmijë dhe pse dëboi 125,000 shqiptarë?
Nëse popullsia e Epirit është greke, pse 350,000 veta ikën nga pushtimi grek?
Përfaqësuesi serb, z. Pastiç, i cili, siç besojmë, për hir të parimeve të drejtësisë dhe njerëzimit do të tërhiqte pretendimet e tij për Shqipërinë e Veriut, ka bërë përpjekje të shumta që të lejohet Serbia të dalë deri në fushat tona më pjellore; por nëse është kështu, pse shkatërruan serbët në prill të vitit 1914 mbi 100 fshatra në Shqipërinë Qendrore dhe i lanë të pastrehë 100,000 shqiptarë?
Pse serbët dhe malazezët vranë 30,000 njerëz në Shqipërinë e Veriut?
Pse ata goditën me thikë, heshtë, shtizë ose i dogjën të gjallë 20,000 burra, gra dhe fëmijë shqiptarë?
Ne pyesim pse?
Deputeti anglez Hon. Aubrey Herbert, M.P. për Londrën, thotë:
“Shqipëria ka vuajtur shumë nga trupat serbe, greke dhe malazeze. Jam i bindur se këta njerëz janë shfarosur sistematikisht nga ata që erdhën si ‘miq’. Të tjerët e Ballkanit kanë pasur zërin, shtypin, dhe diplomatët e tyre; por shqiptarët po vuajnë në heshtje. Sepse ata nuk kanë fuqi të ankojnë ose të flasin, ata janë viktima të lehta, të cilat përçmohen dhe masakrohen.”
Në vitin 1919, Italia hyri në Vlorë dhe gradualisht pushtoi pjesën më të madhe të vendit. Kur shqiptarët shpallën deklaratën e tyre solemne për pavarësi, atëherë e përkohshmja u bë përjetësi përmes një dëshmie të madhe të vetëdijes kombëtare dhe entuziazmit. Por për zhgënjimin e madh të popullit shqiptar, përkundër faktit që kërkesat e tyre të drejta u bënë të njohura në të gjithë botën — Italia pushtoi Shqipërinë në emër të Mbretit të saj më 3 qershor 1917, duke shpallur bashkimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, por shpejt pas kësaj, e la mënjanë këtë premtim solemn dhe filloi të sillet sikur Shqipëria duhej të bëhej provincë italiane.
Nëse bota me të vërtetë luftoi për hir të drejtësisë, ajo duhet të tërhiqet nga pretendimet e saj të rreme, duke ndihmuar Shqipërinë të shpëtojë nga pasojat e tjera të padrejtësive të mëtejshme.
Nëse Shqipëria lihet edhe një herë e harruar nga Konferenca e Paqes, nuk do të pushojë së ekzistuari – ajo do të shpërthejë në të ardhmen si një bombë e fuqishme në duart e atyre që i shkaktuan padrejtësi, dhe historia do t’i mbajë përgjegjës.
Burimi origjinal: The Chicago Tribune and the Daily News, New York, 22 gusht 1919