Me rastin e ditëlindjes së gazetarit, shkrimtarit dhe poetit të njohur Idriz Ulaj, kujtojmë me nderim e mall figurën e tij të shquar. Idrizi lindi më 10 gusht 1942 në Vuthaj të Plavë-Gucisë dhe ndërroi jetë më 3 qershor 2023, në moshën 81-vjeçare, pas një jete të përkushtuar ndaj arsimit, publicistikës dhe letërsisë shqipe.
Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, shkollën normale në Prizren dhe fakultetin filozofik (dega gjuhë e letërsi shqipe) në Prishtinë. Karrierën profesionale e nisi si mësues në shkollën fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë (1967), për të vazhduar në shkollën e mesme teknike “19 Nëntori” dhe në gjimnazin “Xhevdet Doda”. Nga viti 1971 deri më 2007, ishte lektor dhe gazetar në revistën javore “Zëri i Rinisë”.
Si krijues, Idriz Ulaj botoi poezi, prozë dhe satirë (me pseudonime si “Grethzori” e “Shokzori”), me veprat e tij të përkthyera në gjuhë të ndryshme. U mor edhe me studime etnografike, duke përgatitur e botuar libra të çmuar për historinë dhe traditat e Krahinës së Plavës e Gucisë, si dhe duke përkthyer autorë malazezë, sllovenë e boshnjakë. Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik.
Trashëgimia e tij përfshin botime të shumta, ndër to: “Këngë popullore nga Gucia” (1978), “Prizma” (1980), “Zilet e stinëve” (2007), “Këngë dhe vajtime nga Krahina e Plavës dhe e Gucisë” (2009), “Prozë popullore nga Krahina e Plavës dhe e Gucisë” (2011), si dhe përkthimet “Nahija e Plavës dhe e Gucisë” dhe “Malësia” nga Andrija Joviqeviq.
Ne i shprehim mirënjohjen për kontributin e tij të pazëvendësueshëm në kulturën kombëtare. Kujtimi i Idriz Ulajt do të mbetet përherë i gjallë në zemrat e familjarëve, miqve dhe gjithë atyre që e lexuan e e çmuan penën e tij.
Pushofsh në paqen e përjetshme, Idriz!