Shqipëria po shfaqet me ritëm të shpejtë si një nga destinacionet më premtuese të turizmit ndërkombëtar, duke tërhequr vëmendjen për autenticitetin kulturor, natyrën e paprekur dhe përvojat unike që ofron. Sipas një artikulli të fundit të Le Figaro-s, Shqipëria konsiderohet një “perlë e fshehur” në Ballkan, që kombinon trashëgiminë historike, diversitetin natyror dhe një identitet autentik që mungon në shumë destinacione të mbingarkuara turistike.
“Një udhëtim në Shqipëri është si një kalim nëpër kohë përmes gjurmëve ilire, greke dhe osmane,” shkruhet në këtë artikull, i cili rekomandon vizita në qytete si Tiranë, Gjirokastër, Berat dhe Butrint, zona të pasura me trashëgimi kulturore dhe të njohura nga UNESCO-ja.
Por ajo që e veçon vërtet Shqipërinë, sipas Le Figaro-s, nuk janë vetëm monumentet, por edhe mikpritja e popullit, traditat kulturore të gjalla dhe kuzhina e pasur me shije autentike. Artikulli sugjeron që udhëtarët të shijojnë byrekë krokantë, të dëgjojnë polifoninë shqiptare të njohur nga UNESCO dhe të eksplorojnë tregjet e gjalla ku përzihen aroma mesdhetare dhe ndikimet orientale.
Ky vlerësim i Le Figaro-s vjen në një kohë kur Shqipëria e ka forcuar pozicionin në vëmendjen ndërkombëtare për turizëm kulturor. Vlerësimi mbështetet në një prani gjithnjë e më të madhe të Shqipërisë në mediat ndërkombëtare: nga historitë për plazhe me ujë kristal, peizazhe dhe kostot e përballueshme, deri te qytetet historike si Berat dhe Gjirokastër dhe atraksione natyrore si Alpet shqiptare, lumi Vjosa dhe kanionet. Mikpritja dhe kultura lokale lulëzojnë në çdo cep, duke e pozicionuar Shqipërinë si një zgjedhje ideale për udhëtarët që kërkojnë autenticitet dhe liri për t’u zhytur në një eksperiencë kulturore të vërtetë.