Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri Edi Rama, nuk do të flasin në takimin e 29 shtatorit në Novi Sad.

Sipas medias serbe “Danas” është planifikuar që kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, të flasë me pjesëmarrësit e forumit ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pjesëmarrja e të cilit gjithashtu u njoftua më herët, do të bëhet përmes një lidhje me video.

Konferenca dy -ditore “Ballkani Perëndimor, një rajon, një treg dhe një hap drejt tregut të përbashkët të BE -së” po mbahet në 28 dhe 29 shtator në Novi Sad.

Fillimisht ishte planifikuar që Vuçiç, Rama dhe Zaev të flisnin në datë 29 si dhe t’i drejtoheshin shtypit më pas duke iu përgjigjur pyetjeve.

Por duket se planet kanë ndryshuar me shtimin e tensioneve me Kosovën.

Takimi përkon me përvjetorin e krijimit të nismës së Shengenit të Vogël, që së fundmi ndryshoi emrin në “Open Balkan”.

BE ka njoftuar që nuk e mbështet nismën serbe ku është përfshirë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe ka bërë thirrje që e vetmja inisiativë që njeh është Procesi i Berlinit, ku bëjnë pjesë të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.