Me izolimin aktual nga Virusi Korona në shumë vende të botës, rrjedha e rregullt e jetës është ndalur. Në thelb, jeta jonë është lënë në pritje.

Na kërkohet të qëndrojmë në shtëpi dhe të zvogëlojmë aktivitetet tona sociale dhe të jashtme në minimum. Tingëllon si një përkufizim introvert i parajsës, apo jo? Po, në këto periudha të vështira, personat e qetë më në fund e kanë një avantazh në shoqëri.

Sidoqoftë, për të gjithë të tjerët, është një situatë tepër sfiduese. Një person në i shoqërueshëm, që e dëshiron kontaktin shoqëror dhe jeta normale të cilit është e mbushur me mbledhje dhe aktivitete, nuk mund thjesht të shndërrohet në një introvert të vetmuar.

Megjithatë, karantina dhe bllokimi i koronavirusit mund të na japin shumë mësime me vlerë për jetën. Të gjithë mund të mësojnë nga kjo situatë e vështirë, si introvertët ashtu edhe ekstrovertët.

5 mësime jete për të mësuar nga izolimi i Virusit Korona

  1. Mos e mbani jetën tuaj në pritje

Kjo mund të tingëllojë e diskutueshme në fillim. Në fund të fundit, jeta e të gjithëve është në pritje tani. Por këtu, unë po flas për jetën tonë para pandemisë (dhe shpresojmë, edhe pas saj).

Të gjithë kemi diçka për të cilën ëndërrojmë por nuk kemi guximin ta përmbushim atë. Të gjithë kemi plane në jetë por presim kohë më të mira për t’i kthyer ato në realitet.

Ndoshta keni dashur të ndryshoni rrugën tuaj në karrierë ose të keni një fëmijë. Ndoshta keni ëndërruar të udhëtoni në botë ose të regjistroheni në klasa arti. Tani për tani, ju nuk mund ti bëni asnjë nga këto gjëra për shkak të karantinës. Duhet të presësh. Dhe kush e di për sa kohë.

Kur ne vazhdimisht i shtyjmë planet dhe ëndrrat tona, vjen një kohë kur ne nuk mundemi më (ose nuk dëshirojmë) t’i realizojmë ato. Prandaj, mos i lini pas dore ëndrrat tuaja dhe mos i vini në rend të dyte planet tuaja të jetës dhe qëllimet, duke pritur momentin e duhur. Ky moment mund të mos vijë kurrë.

  1. Jetoni në të tashmen dhe gjeni lumturi në gjëra të thjeshta

Këtu jeni ju, të mbërthyer në shtëpinë tuaj, të mërzitur dhe të vetmuar. Por edhe në izolim, është e mundur të gjesh mënyra për t’u argëtuar dhe gjëra për të cilat do të jesh mirënjohës. Përdoreni këtë situatë si një mundësi për të kaluar kohë cilësore me familjen dhe fëmijët tuaj. Planifikoni një datë qëndrimi në shtëpi me dikë tuajin të veçantë. Thirrni prindërit tuaj. Lexoni libra ose fillojeni një kurs online të cilin gjithmonë e keni pëlqyer.

Kjo listë mund të jetë e pafund. Qështja është se edhe në kohën e karantinës dhe distancës sociale, ju mund të shijoni veten dhe të jetoni në momentin e tanishëm. Gëzimet e jetës së përditshme si një telefonatë me mikun tuaj më të mirë ose një shëtitje me qenin tuaj kanë fuqinë për t’ju bërë të lumtur.

Me mbylljen nëpër të cilën po kalojmë, të gjithë kemi mundësinë të shohim që lumturia është në gjëra të thjeshta, të përditshme. Dhe më e rëndësishmja, është në gjëra jo materiale. Bizhuteritë e shtrenjta dhe rrobat e markës janë jashtë përdorimit tani. Por kënaqësitë e thjeshta si një lexim i mirë ose një bisedë e ngrohtë, tani duket se peshon me ar.

  1. Pushimet ose ndërprerjet e përkohshme janë të nevojshme

Një mënyrë jetese e ndezur dhe nxitëse e ankthit është bërë normale në botën tonë. Para pandemisë, ne nuk mund t’i imagjinonim as ditët tona pa orare të ngarkuara dhe me stres të panevojshëm. E megjithatë, ja ku erdhën ato. E gjithë bota po bën një pushim nga kjo garë.

Pavarësisht se sa e vështirë mund të duket situata e përgjithshme e pandemisë, ne do të mund të përfitonim nga ky pushim. Ndani disa momente për ta vlerësuar këtë. Shijoni gjumin e bollshëm që ju mungonte më parë. Relaksohuni në shtëpi, bëni një banjë të nxehtë, thjesht lejojani vetes dembelizmin.

Të gjithë e dimë se ankthi dhe stresi janë të këqij për shëndetin tonë fizik dhe mendor. Por, të qenit i zënë gjatë gjithë kohës, gjithashtu mund të na largojë vëmendjen nga përmbushja e qëllimit tonë të jetës. Kur mendjet tona janë të okupuara vazhdimisht me shqetësime të punës dhe probleme të përditshme, ne humbasim kontaktin me veten tonë të brendshme.

Për këtë arsye, marrja e një pushimi mund të na ndihmojë të dëgjojmë zërin e shpirtrave tanë. Përdorni kohën e izolimit për të njohur veten më mirë dhe për të zbuluar se çfarë ju bën me të vërtetë të lumtur dhe gjejeni atë që sjell kuptim në jetën tuaj.

  1. Vlerësojeni natyrën

Këtu, po flas për vlerësimin e natyrës në të dy nivelet personale dhe shoqërore. Ata të cilët jetojnë në qytete, rrallë kanë mundësi të shpëtojnë nga bota e betonit dhe asfaltit dhe të afrohen me natyrën.

Vë bast se tani, shumë njerëz mendojnë për ato shëtitje në park që nuk i bën dhe ato udhëtime në fshat që nuk i relizuan. Edhe introvertët që nuk dalin aq shpesh, ka të ngjarë ta kenë këtë lloj keqardhjeje. Edhe nëse nuk jeni një adhurues për të dalë jashtë, është mirë që ndonjëherë ta shfrytëzoni këtë mundësi.

Pastaj, pandemia dhe bllokimi i koronavirusit na tregojnë se çfarë kemi bërë për planetin tonë gjatë gjithë kësaj kohe. Tani që shumica e njerëzve qëndrojnë në shtëpi dhe turizmi ka vdekur, natyra po kthehet. Shkencëtarët raportojnë ulje të niveleve të ndotjes në Itali. Edhe ujërat në kanalet e Venecias janë pastruar pasi nuk ka turistë në qytet dhe vendasit po qëndrojnë në shtëpi!

E vërteta e trishtuar është se ne jemi bërë parazitë në planetin tonë. Ndoshta është koha që ne të fillojmë ta trajtojmë atë me më shumë respekt dhe vlerësim.

  1. Gjithmonë rri gati për kohërat e vështira

Ne kemi folur për të jetuar në të tashmen dhe për të ndjekur ëndrrat tuaja. Por nuk duhet të harrojmë kurrë që kohërat e vështira janë një pjesë e jetës dhe duhet të jemi gati për to. Tani për tani, shumë njerëz e kanë gjetur veten të papërgatitur në një kuptim financiar dhe praktik. Dhe ata nuk kanë ku të gjejnë ndihmë.

Situatat të tilla si izolimi nëpër të cilin po kalojmë, na mësojnë se duhet të qëndrojmë optimistë por gjithashtu të jemi gati për më të keqen. Gjithmonë duhet keni një shtyllë të sigurisë financiare dhe sigurim shëndetësor. Asnjëherë nuk mund ta dini se çfarë mund të ndodhë nesër.

Ju mund të thoni që kjo është një qasje mjaft pesimiste. Nuk është. Është thjesht një qasje realiste. Unë e njoh një person i cili, pavarësisht se sa i rëndë mund të jetë problemi juaj, gjithmonë ju thotë një gjë të vetme: mendoni pozitivisht. Ke humbur punën? Mendo pozitivisht. Keni një konflikt akut me rregullat tuaja? Mendo pozitivisht. Kërcënim nga Korona Virusi? Mendo pozitivisht.

Ndërsa pozitiviteti ka mjaft përfitime, kjo lloj këshille është e vlefshme vetëm në një masë të caktuar. Nëse sëmureni seriozisht ose nuk ushqeheni mirë, asnjë sasi mendimi pozitiv nuk mund t’ju ndihmojë. Shpesh, duhet të ndërmerrni veprime të vërteta për të zgjidhur një problem.

Mendimi pozitiv është i mirë, por pozitiviteti i verbër nuk është. Kultivoni një qëndrim optimist, por përgatituni për fatkeqësi të mundshme që mund të shfaqen në derën tuaj.

Shndërrojeni izolimin nga Virusi Korona në një mundësi për rritje personale

Pandemia e virusit korona është një situatë e vështirë për të gjithë. Por edhe kjo do të kalojë. Ndërkohë, përdorni këtë periudhë të izolimit si një mundësi për të mësuar dhe t’u rritur si një person. Mbi të gjitha, gjatë kohërave të vështira zbulojmë forcën dhe këmbënguljen tonë të brendshme.

Qëndroni të fortë dhe jini mirë./filozofia.al

Autor: Jamie