Nga Venezuela te Irani, tema e mosmarrëveshjeve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikën nuk mungon dhe lista duket se do jetë e ngarkuar për vizitën e shefit të diplomacisë amerikane Mike Pompeo, të martën në Rusi.

Irani- Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov ka premtuar një diskutim të hapur me homologun amerikan për dosjen nukleare iraniane. Pa dyshim, temë e tensioneve më të hershme mes dy vendeve, kjo krizë u qetësua me firmosjen e marrëveshjes mes Teheranit dhe fuqive të mëdha në vitin 2015. Ajo është vënë sërish në plan të parë që prej një viti pas tërheqjes së SHBA nga ky pakt. Vendimi i Trump për të vënë sanksione të rënda ndaj Iranit ka dëmtuar ekonominë e vendit, duke shënjestruar sektorin e naftës dhe kompanive të huaja tregtare me Republikën Islamike.

Rusia, ashtu si europianët dhe Kina, dëshiron ta shpëtojë marrëveshjen, por përballë vendosmërisë amerikane, Teherani ka pezulluar disa nga angazhimet e veta. Përveç kësaj shtohet frika e përshkallëzimit ushtarak, me Uashingtonin që akuzon Teheranin për përgatitjen e sulmeve të pashmangshëm kundër interesave amerikane në Lindjen e Mesme. SHBA kanë vendosur një anije luftarake dhe një bateri raketash ”Patriot” në Gji, ku janë tashmë një aeroplanmbajtës dhe bombardues B-52. Disa anije kanë qenë objektivi i “akteve misterioze të sabotimit” nga EBA, sipas Riadit dhe Abu Dabit duke shkaktuar tensione në rritje në Gji.

Venezuela- Në javët e fundit, Rusia dhe SHBA kanë akuzuar njëra-tjetrën për ndërhyrje në Venezuelën e ndarë nga kriza. Moska është një aleat i rëndësishëm i presidentit Nikolas Maduro, ndërsa Uashingtoni mbështet udhëheqësin e opozitës Juan Guaido. Rusia ka kritikuar mbështetjen “e papërgjegjshme” të SHBA për atë që e konsideron të jetë një grusht shteti i dështuar kundër Nicolas Maduro. Mike Pompeo tha se Maduro ishte gati të largohej nga vendi, por mbështetja ruse e kishte shtyrë të mos e bënte.

Koreja e Veriut- Muajin e kaluar, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un u takua me homologun e tij rus Vladimir Putin në takimin e parë ballë për ballë. Takimi në Vladivostok kishte për qëllim kundërshtimin e ndikimit amerikan dhe forcimin e rolit të Moskës në Gadishullin Korean, pas dështimit të negociatave të mëparshme midis Kim dhe presidentit Trump. Pheniani këmbënguli me zemërim se Mike Pompeo duhet të mbahet larg diskutimeve të mëtejshme.

Ndërhyrja në zgjedhje- Raporti i prokurorit special të SHBA Robert Mueller nuk gjeti prova për ndonjë marrëdhënie midis Rusisë dhe rrethit të Donald Trump në vitin 2016, por beson se Rusia “ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në mënyrë sistematike”. Mike Pompeo premtoi “masa të rënda” kundër këtyre “veprimtarive të dëmshme” të Moskës dhe shpjegoi se priste të njëjtat veprimtari të paligjshme ruse në vitin 2020.

Kremlini gjithmonë ka mohuar çdo ndërhyrje, duke thënë se këto akuza bëheshin për shkak të betejave të brendshme politike në Uashington. Sanksionet dhe të burgosurit- SHBA kanë vazhduar të ashpërsojnë sanksionet e tyre kundër Rusisë gjatë viteve të fundit, së bashku me Perëndimin në çështjen ukrainase, por edhe në mënyrë të njëanshme.

Klima e Luftës së Ftohtë ka qenë e nxitur nga disa zëra për marrëveshje spiunazhi. Moska denoncon fatin e Maria Butina, e vetmja ruse e arrestuar dhe dënuar gjatë tre viteve hetime për ndërhyrjen e inteligjencës ruse në politikën amerikane. E akuzuar se ka bërë rolin e agjentes ruse në SHBA, ajo u dënua me 18 muaj burg. Presidenti rus Vladimir Putin e përshkroi dënimin si “arbitrar”, duke thënë se nuk e kuptonte pse ajo ishte dënuar.

Ndërkohë, britaniko-amerikani Paul Whelan është arrestuar në Rusi, ku akuzohet për spiunazh. Ish-marinsi u arrestua në fund të dhjetorit në Moskë. Moska hodhi poshtë idenë se Paul Whelan mund të shkëmbehej me një të burgosur tjetër në SHBA./ata /MekuliPress.com/ 
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress