Piloti gjerman Samy Kramer ka krijuar një shiringë gjigante në qiell, duke fluturuar 200 kilometra për të kujtuar njerëzit për fillimin e fushatës së vaksinimit COVID-19 në Europë.

Piloti 20-vjeçar hartoi rrugën që do të duhej të ndiqte në një pajisje GPS përpara se të shkonte në qiellin afër Liqenit Konstancë në Gjermaninë jugore. Itinerari në formën e shiringës u shfaq në faqen e internetit flightradar24.

“Ka ende relativisht shumë njerëz që kundërshtojnë vaksinimin dhe veprimi im mund të jetë një kujtesë për ta që të mendojnë për temën, për të lëvizur gjërat”, tha Kramer për Reuters TV, duke shtuar se fluturimi i tij nuk duhet të kuptohet si një thirrje e drejtpërdrejtë inokulimi.

“Ndoshta ishte edhe një shenjë gëzimi, sepse industria e aviacionit është goditur mjaft rëndë nga pandemia”, tha Kramer.

Gjermania filloi zyrtarisht fushatën e saj të vaksinimit COVID-19 të Dielën. Qeveria federale po planifikon të shpërndajë më shumë se 1.3 milion doza vaksinash tek autoritetet lokale të shëndetit deri në fund të këtij viti dhe rreth 700,000 në javë nga janari.