Një ish-komandant i grupit famëkeq paramilitar Wagner, Andrei Medvedev, është arratisur nga Rusia – për të vazhduar jetën në Norvegji ku kërkoi azil politik.

Lajmin e ka raportuar gazeta norvejgeze VG, duke u bazuar në median Gulagu.net, që pretendon se ky ish-pjesëtar i grupit famëkeq dhe që ndryshe njihet si ushtria private e Vladimir Putinit, është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet për të dëshmuar kundër themeluesit i Wagnerit.

Ai nuk hezitoi të tregojë se do të dëshmojë kundër Yevgeny Prigozhinit, dhe të flet haptazi për vrasjet në të cilat ishte dëshmitar.

Sipas tij, janë kryer vrasje jashtë juridiksionit dhe pa ndonjë arsyetim. Gjithçka ka ndodhur sipas tij vetëm se kjo njësi e ka konsideruar si të “papranueshëm”, për ideologjinë e tyre.

Ky nuk është rasti i vetëm kur pjesëtarët e grupit famëkeq që zakonisht kryejnë punët e pista të Putinit, dezertojnë dhe kërkojnë azil politik në vende kryesisht perëndimore.

Ata kanë dëshmuar në shumë raste për vrasjet makabre që i ka kryer kjo njësi, që operon edhe në Ukrainë dhe shpesh lavdërohet për “sukseset”.