Për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri si dhe të shtënat me armë, janë konsideruar nga qeveria e Kosovës dhe presidenca e saj si akte të orkestruara nga Beogradi. Ka shumë dyshime të arsyeshme për të besuar se një gjë e tillë është e vërtetë, ndonëse një dritare duhet mbajtur hapur për të mos paragjykuar. Në eventualitetin e faktimit të kësaj akuze, është e udhës të vihet në dukje se dhuna dhe strategjia e tensionimit janë tashmë konstante të politikës serbe në Kosovë, çka në vetvete e bën të pakuptimtë dhe zhvlerëson të gjithë politikën e mirëkuptimit që iu dha presidentit serb, Vuçiç nga Perëndimi.

Nga ana tjetër, nuk përjashtohet që me afrimin e zgjedhjeve në Serbi, Vuçiç të kërkojë të zhvendosë krizën apo temën kryesore, duke kërkuar te tensioni material për të shpallur veten shpëtimtar të kombit. Por kjo politikë ilustron se e ashtuquajtura strategji serbe nuk ka mjete veprimi përveç se ato që janë konfirmuar tashmë prej dekadash. Aq e vërtetë është kjo sa edhe në dialogun e ndërmjetësuar dhe propozimin e fundit të BE-së, një nga pikat e kompromisit është edhe shpërbërja e strukturave paralele të Serbisë. Ky është një fakt që flet shumë dhe duhet shënuar. Të vihet re se deri më tani Serbia nuk ka sulmuar KFOR-in, por policinë e Kosovës dhe që këtu duhet kaluar në aksion diplomatik e publik agresiv:

  1. Mbajtja e Kosovës nën sanksione është politikë që tashmë shkon kundër paqes
  2. Tensionimi i situatës është përgjegjësi dhe autorësi e Beogradit
  3. Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbështesë çdo veprim për goditjen e elementëve të armatosur në Kosovë që kryejnë veprime të tilla për të bërë të qartë se Beogradi është aty jo për kompromis

Është po ashtu e domosdoshme që kreu i Politikës së Jashtme të BE-së, Borrell, të prononcohet qartë mbi këtë situatë, e cila ka përgjegjës dhe përgjegjësi.

s.zaimi