Nga Mohamed Taha

Nderimi me 21 të shtëna topi në Kajro gjatë funeralit të presidentit të ndjerë Hosni Mubarak, ishte një fund elegant për jetën e një burri, që ishte kryesisht i shqetësuar për ndërtimin e imazhit dhe kultit të tij të personalitetit. Në librin tim “Përçarja arabe”, e kam theksuar se si Mubarak ishte i prirur ta ndërtonte reputacionin e tij si një president xhentëllmen, i dashur nga njerëzit e tij, dhe i respektuar nga liderët në të gjithë botën.

Sipas bashkëshortes së tij egjiptiano-britanike Suzana, dëshira e tij për t’u dukur i zgjuar, i paraqitshëm dhe gjithmonë i pëlqyer nga të tjerët, ishte një obsession për të. Ishte kjo dëshirë për përsosmëri, që e bëri “faraonin” modern të emërohej kreu i akademisë së aviacionit ushtarak që kur ishte ende në të 30-tat.

Disa vjet më vonë, u bë komandanti i përgjithshëm i forcave ajrore. Roli që luajti Mubarak në luftën e vitit 1973 me Izraelin, e nxiti presidentin Anvar El Sadat ta emërojë si zëvëndësin e tij. Mubarak nuk ishte pranë Sadatit, kur ky u qëllua për vdekje nga oficerët e ushtrisë, gjatë një parade ushtarake në vitin 1981.

Në atë kohë shumë analistë menduan se ai do ta drejtonte vendin për një periudhë të përkohshme, përpara se drejtimin e vendit ta marrte një udhëheqës më i fortë. Por Mubarak u  bë presidenti më jetëgjatë i Egjiptit, duke qëndruar thuajse 30 vjet në pushtet.

Dhe ai mbijetoi aq gjatë, bazuar në talentin e vet të vetë-promovimit, ndërsa kontrolloi apo shtypi pa mëshirë kundërshtarët politikë. Edhe kritikët e tij më të ashpër, e pranojnë se duhen ca aftësi për të patur “një vdekje normale natyrale” në Egjipt, në një kohë kur gjithë presidentët e tjerë; Muhamed Nagib, Gamal Abdel Naser, Sadat dhe Muhamed Morsi, vdiqën në rrethana të dyshimta.

Studimi im i vitit 2015 mbi personalitetin e Mubarakut, zbuloi se qëndrimi i tij i gjatë në pushtet,  u bazua në ndërtimin e kultit të personaliteti. Politologu i Universitetit të Anglisë Lindore, Xhon Strit thotë se politikanët dhe të famshmit në përgjithësi, kanë një identitet të përbashkët.

Për të pasur sukses në kulturën e re globale të të famshmëve, politikanët – ashtu si edhe të famshmit – duhet të mbështeten tek vetë-promovimi, reklamimi dhe krijimi i markës së tyre. Sipas Strit, politika moderne është bërë tashmë më shumë një çështje e marketingut, sesa e shkencës politike, duke sfiduar konceptet e marketingut tradicional, dhe udhëheqjen politike klasike. Dhe Mubarak ishte shumë i aftë në marketimin e vetes. Ai punësoi gazetarin e njohur, Makram Ahmed, për t’i shkruar fjalimet.

Ishte shumë i fiksuar të kishte një mbulim të gjerë mediatik të të gjitha aktiviteteve të tij. Mubarak sponsorizoi organizimin e festave ekstravagante çdo vit, në përkujtim të luftës së 6 tetorit 1973, duke lëvduar këngëtarët që performonin për të, dhe që këndonin këngë për nder të tij.

Propaganda, ishte një nga mjetet kryesore në ndërtimin e imazhit të tij, dhe shpërlarja e trurit të masave, i referohej konceptit të psikologut francez Gustav lë Bon mbi psikologjinë e turmave.

Kur u ngjit në pushtet, Mubarak premtoi ta mbronte demokracinë egjiptiane.

Gjithsesi, sistemi politik që ai adoptoi në praktikë ishte autoritar dhe shumë kufizues. Të drejtat universale, si liria e fjalës dhe liria e tubimit, u shkelën hapur. Një sistem autoritar, është baza e një kulti të fortë të personalitetit. Për Mubarakun, ishte veçanërisht i rëndësishëm imazhi i tij ndërkombëtar.

Ai u bë një nga zërat kryesorë në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez, duke promovuar në mënyrë agresive idenë e një zgjidhjeje me 2 shtete. Në vitin 1989, imazhi i Mubarakut pësoi rritje të madhe, kur ngriti flamurin egjiptian në Taba, resortin që Izraeli e  kishte nën kontrollin e vet pas paktit të Camp David.

Kur Izraeli u tërhoq nga Sinai, këmbënguli që Taba, e cila kufizohet me portin izraelit Eilat, nuk ishte pjesë e Egjiptit, dhe se mbajtja e tij nën autoritetin izraelit nuk binte ndesh me traktatin e paqes Egjipt-Izrael në Camp David. Vendimi i arbitrazhit në shtator 1988, vërtetoi që Izraeli e kishte gabim.

Një moment tjetër që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare tek Mubaraku, ishte pushtimi i Kuvajtit nga Iraku i Sadam Huseinit. Egjiptianët luftuan përkrah amerikanëve, për të lehtësuar “çlirimin” e Kuvajtit, dhe në pushtimin e mëvonshëm të Irakut.

Pas kësaj, Mubarak ia doli të rikthente selinë e Lidhjes Arabe në Kajro, pas 10 vitesh bojkot pas marrëveshjes së paqes në Camp David me Izraelin në vitin 1978. Por në Egjipt, Mubarak pati më pak suksese. Marrëdhënia e tij me opozitën u bë gjithnjë e më konfliktuale, duke prekur fundin në vitin 2010, kur vendosi të përjashtojë të gjithë kundërshtarët nga parlamenti.

Ligjet e emergjencës, mbetën në fuqi për gati 3 dekadat e sundimit të tij. E fundit, por jo më  pak e rëndësishmja, Mubarak donte të vendoste djalin e tij Gamal si pasuesin e tij në postin e presidentit. Këto përpjekje u kundërshtuan në heshtje nga ushtria, që gjithsesi pati rastin të  thotë fjalën e saj gjatë rebelimit së janarit 2011, kur refuzoi të mbështesë Mubarakun, dhe u  bë palë me demonstruesit.

Ndërkohë në raport me Vëllazërinë Myslimane, Mubarak i lejoi organizatës një nivel lirie. Ai lejoi që ajo të rritet, dhe të kontrollojë sindikatat e studentëve dhe shumicën e organizatave profesionale –  si të mjekëve, inxhinierëve dhe mësuesve – si dhe të vërë pasurinë e saj.

Por nga ana tjetër u përpoq ta kishte gjithnjë nën kontroll. Fakti që në funeralin ushtarak të Mubarakut, mori pjesë presidenti aktual, ish-gjenerali Abdel Fattah El Sisi, do t’i mbajë në konfuzion të plotë brezat e ardhshëm të egjiptianëve.

A ishte ky presidenti që nxorri në rrugë miliona egjiptianë për 18 ditë më radhë në muajt janar-shkurt 2011, dhe që i kërkonte Mubarakut të largohej, dhe se do të përballej me drejtësinë, dhe madje edhe me ekzekutimin? Cilat ishin ndjesitë e mijëra familjeve egjiptiane, që humbën të paktën njërin nga familjarët, apo që kanë një anëtar të familjes të gjymtuar, si pasojë e torturave gjatë këtij “revolucioni”?

Shumë prej tyre nuk kanë dëgjuar ende ndonjë përgjigje, se kush i vrau apo i plagosi të dashurit e tyre. Varrimi zyrtar ushtarak, konfirmoi një të vërtetë të hidhur:ushtarakët mbeten në krye të vendit, ashtu siç ka qenë për 70 vitet e fundit.

“The Converation” – Bota.al