Ajo që nisi si një marsh triumfalist elektoral, mund të përfundojë në një marsh funebër për politikën e jashtme të presidentit amerikan Donald Trump. Nëse ky i fundit deklaronte se do ta mbyllte konfliktin për 24 orë, tani jo vetëm që konflikti nuk duket të ketë ndonjë fund, por Trump mori një shuplakë të dyfishtë: së pari në takimin me Zelenskiyn në Shtëpinë e Bardhë ku replikat u dhanë live, dhe së dyti tani kur presidenti ukrainas deklaronte se:

Kushtetuta e Ukraiëns deklaron qartë se kursi ynë është drejt BE-së. Ukraina nuk do të pranojë një marrëveshje për mineralet me SHBA-të që mund të vërë në rrezik pranimin e saj në BE

E thënë ndryshe, Ukraina i ka thënë “JO” Donald Trump qoftë për cenimin e territoreve në lindje, qoftë për marrëveshje preferenciale për mineralet e rralla. Dy ditë më parë shenjat e para u dhanë kur Zelenskiy deklaronte se drafti i marrëveshjes kishte ndryshuar, çka është e qartë se në lojë kanë hyrë kancelaritë europiane.

Kjo konfirmon se politika e jashtme e BE-së, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë po vepron në dy drejtime: të mbajë aktiv frontin me Rusinë për të imponuar një marrëveshje tjetër për Ukrainën dhe eventualisht të shkurajojë përfundimisht çdo strategji ushtarake ruse ndaj Europës dhe të izolojë Donald Trump në përpjekjet e tij për të vendosur rendin personal të gjërave në sektorë ku është investuar jashtëzakonisht shumë.

Me këtë vullnet lidhet deri diku edhe skepticizmi i Putin për një paqe të afërt në Ukrainë, ndonëse ka dyshime të besueshme se Rusisë aktualisht i intereson antagonizmi BE-SHBA më shumë sesa Ukraina, pasi është e logjikshme që një Europë e armatosur do të kërkojë herët apo vonë nxjerrjen e SHBA nga kontinenti. Të paktën në formën e tanishme të fuqisë. Dhe ky do të ishte një ekuacion i ri i sigurisë në kontinent.

By