Episodi i ndalimit të një shfaqjeje teatrale në Kosovë, me ndërhyrjen e ambasadës turke në Prishtinë, ilustron dhe tradhëton deri diku agjendën reale të shtetit turk në këto territore.

Përveçse ndërhyrje brutale në çështje që nuk i takojnë, qëndrimi i shtetit turk na jep të kuptojmë për një frymëzim neoimperialist mbi kombe dhe shtete në të cilat Ankaraja dhe ca më tej, as Stambolli, nuk mund të mëtojnë të drejta historike.

Vepra në fjalë lidhet me një ngjarje politike, nuk ka kurrfarë deformimi historik apo stigme. Ndaj ndërhyrja është e rëndë. Do quhej edhe më e rëndë vendimi I institucioneve të Kosovës, por nënshtrimi dhe poshtërimi është buka e përdtishme e institucioneve që drejtohen nga shqiptarë, të cilëve dinjiteti u kushton shumë.

Nëse do ta shihnim me sens provokativ veprën, ajo në një shoqëri demokratike mund të shqyrohet vetëm në raport me frymën e një kushtetute ku normohet se çfarë e cenon rendin kushtetues të bashkëjetesës.

Por Turqia nuk është lloji i shtetit që ka merak një gjë të tillë. Nëse do të ishte kështu, Turqia e Erdoganit nuk do të kërkonte ndërtimin në Tiranë të një memoriali për të vrarët e një grushti shteti në vitin 2015. Gjeti një poture me një njeri brenda dhe e bëri. Turpi dhe poshtërimi ka memorialin e vet në Tiranë, kryeqytetin e të padinjitetshmëve. Është një turp dhe poshtërim që mbrohet sa nga dështimi ynë si shoqëri, aq edhe nga një jovertebror që ul kurrizin për çdo gjë.

E keqja këtu nuk ka të bëjë edhe aq me një akt, apo një memorial. Por ka të bëjë me faktin se qasje të tilla zbulojnë një konstante politike që herët apo vonë do t’i japë të drejtë pretendimit historiografik të komunizmit që e shihte dhe sugjeronte botën nën optikën e një dyshimi permanent. Jo se kishte të drejtë, por sepse dyshimi ushqehet shumë herë më mirë në këto anë, sesa arsyeja që kërkon që disa gjëra të lihen pas. Ose të kryhen me vullnetin e shoqërisë.

s.zaimi

By