– Diplomacia dështoi kur partnerët në negociata u poshtëruan para gjithë botës, – tha presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, pas ngjarjes në Shtëpinë e Bardhë.

Steinmeier e përshkroi takimin ku presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti i tij, J.D. Vance, kritikuan ashpër Volodymyr Zelenskyjn para kamerave si një ngjarje “të pabesueshme”.

Agjencia e lajmeve DPA shkruan se presidenti gjerman hoqi dorë nga gjuha e tij tradicionale diplomatike kur foli për këtë incident.

– Skena në Shtëpinë e Bardhë dje më la pa fjalë. Nuk do ta kisha besuar kurrë që një ditë do të na duhej të mbronim Ukrainën nga Shtetet e Bashkuara, – tha Steinmeier për agjencinë DPA, përcjell e pavarura MekuliPress.

Presidenti gjerman theksoi se evropianët mbeten të përkushtuar ndaj lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

– Duhet të parandalojmë që Ukraina të detyrohet të pranojë nënshtrimin, – shtoi ai.

Steinmeier gjithashtu bëri thirrje që Gjermania të formojë sa më shpejt një qeveri të fortë për të përballuar krizën aktuale. Pas zgjedhjeve të mbajtura të dielën e kaluar, kryetari i CDU-së, Friedrich Merz, pritet të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, por negociatat për formimin e qeverisë sapo kanë filluar.

By