Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka dhënë së fundmi të parën intervistë për një media të Perëndimit, CBS News. Intervistuesja, Lesley Stahl, ka raportuar në formën e një reportazhi dhe interviste takimin me kreun politik iranian, cilësuar nga Perëndimi si konservator dhe subjekt i sanksioneve të ShBA.

I pyetur për marrëveshjen bërthamore të hedhur poshtë nga Trump, Raisi tha se ajo ishte një marrëveshje e mirë që u braktis në mënyrë të njëanshme nga amerikanët.

Duhen garanci, nëse ka garanci, atëherë amerikanët nuk mund të tërhiqeshin, është shprehur ai.

I pyetur për akuzat se Irani po ndërton një bombë bërthamore, Raisi ka deklaruar shkurt:

I jemi përgjigjur këtyre pretendimeve. Nuk kanë bazë. Republika Islamike e Iranit ka thënë shumë herë se posedimi i armëve bërthamore nuk ka vend në doktrinën tonë.

I pyetur nëse do të ketë një takim mes tij dhe presidentit amerikan Joe Biden në New York, Raisi tha prerë:

Jo, nuk besoj se do kishte përfitim nga diçka e tillë 

Ai i ka cilësuar sanksionet si tiranike kundër popullit të Iranit dhe se heqja e tyre është e rëndësishme për vendin e tij.

Lidhur me një temë të ndjeshme në disa segmente të shoqërisë perëndimore, Holokaustin ndaj hebrejve në Luftën e Dytë Botërore, Raisi u tregua edhe më pak diplomatik brenda taktit të vet formal:

Shiko…Ngjarjet historike duhen hulumtuar nga kërkuesit dhe historianët. Ka disa shenja se Holokausti ka ndodhur. Nëse është kështu, ata duhet të lejojnë që hulumtohet dhe kërkohet.

Sa i përket vrasjes së Qassem Soleimanit, Presidenti iranian tha se Irani kërkon drejtësi, pa sqaruar se çfarë nënkuptohet me këtë.

Ne nuk do ta harrojmë këtë. Duam drejtësi. Nuk do të bëjmë llojin e veprimeve që amerikanët dhe sionistët bëjnë në botë , tha ai.