Prokuroria Speciale shumë shpejt do të ftojë t’i intervistojë disa zyrtarë të lartë të shtetit lidhur me privatizimin e KEDS-it dhe katër hidrocentralet, pwrcjell MekuliPress.

Prokuroria Speciale e Kosovës në maj të vitit 2018, ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve për privatizimin e katër hidrocentraleve bashkë me rrjetin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike -KEDS. Prokuroria kishte dorëzuar në Gjykatën e Prishtinës vendimin për nisjen e hetimeve ndaj disa personave të përfshirë në shitjen e aseteve të KEK-ut.

Prokuroria pret që shumë shpejt të nisë me intervistimet e të dyshuarve të involvuar në këtë proces, por fillimisht është duke e shqyrtuar krejt dokumentacion financiar që ka të bëjë me procesin.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka pranuar ekspertizën financiare gjatë muajit shkurt të këtij viti, si dhe, jemi në përfundim të shqyrtimit të kësaj ekspertize. Po ashtu, do të bëhet intervistimi i të pandehurve lidhur me këtë çështje”, ka thënë për lajmi.net, Ekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Është mësuar se në aktvendimin për hetime janë disa zyrtarë të lartë, duke përfshirë ish-ministra, disa prej tyre janë momentalisht pjesë e qeverisë. Hetimet kanë nisur edhe ndaj një zyrtari të KEK-ut dhe një zyrtari të qeverisë të përfshirë në implementimin e kontratës.

Procesi i privatizimit të KEDS-it ishte udhëhequr nga Komiteti i Privatizimit, i cili drejtohej nga ministri i Zhvillimit Ekonomik që në atë kohë ishte Besim Beqaj.

Pjesë e komitetit drejtues ishin edhe Mimoza Kusar-i Lila (ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë), Dardan Gashi (ministër i Mjedisit), Bedri Hamza (ministër i Financave), Nenad Rashiq (ish- ministër i Punës).