Arbër Zaimi

Në 1936 sociologu i shquar amerikan, Robert Merton, shkroi një ese të shkurtër me titullin “Pasojat e paparashikuara të veprimtarisë shoqërore të qëllimtë”. Ajo ese pati me mijëra citime nga studiues e shkencëtarë të tjerë dhe influencoi shumë shkenca shoqërore, por edhe studimet strategjike.

Faktorët që shpjegojnë se pse nuk mund të parashikohen të gjitha pasojat e veprimtarive shoqërore të qëllimta, sipas Mertonit, janë këto:

1. Injoranca, padituria, mungesa e informacionit. Sa më shumë dije e sa më shumë informacion, aq më shumë rritet cilësia dhe efikasiteti i një veprimtarie drejt një qëllimi të caktuar shoqëror. Mirëpo dija e informacioni janë të kufizuara në kohë e hapësirë, e nuk janë barazisht të shpërndarë, kështu që gjithnjë ka vend për të paparashikuarën. Vjen një moment, mendon Mertoni, ku bëhet e paleverdisshme lënia pas e veprimit, për të marrë edhe pak më shumë dije, edhe pak më shumë informacion.

2. Gabimi në gjykim. Mes tyre, më shpesh, sipas Mertonit, bëhet gabimi i të menduarit se meqë diçka funksionoi një herë, do të funksionojë sërish. Por rrethanat ndryshojnë, madje edhe fakti se “funksionoi një herë” i ndryshon rrethanat. E sidomos duke qenë njerëzit aktorë subjektivë, është vështirë të ndërtosh ligjësi “të hekurta” për ndërveprimet e tyre.

3. Atypëratyshmëria imperative e interesit. Sipas Mertonit, njerëzit priren të vënë theksin te afatshkurtra, dhe t’i marrin më pak parasysh pasojat afatgjata. Më mirë një vezë sot se një pulë mot thotë ai proverbi që nuk lë hapësirë në të ardhmen as për pula e as për vezë. “Pikërisht pse veprimtaria njerëzore nuk ushtrohet në vakum social apo psikologjik, efektet e saj do të degëzohen doemos në sfera të vlerave të tjera e interesave të tjerë”.

4 (Kjo është pika më me interes për studiuesit e strategjisë) – Profecitë që përgënjeshtrojnë vetveten. Mertoni shkruan se “Parashikimet e bëra publikisht shpesh nuk dalin të vërteta pikërisht për shkak se u bënë publikisht, dhe vetë parashikimi menjëherë bëhet variabël i ri dhe ndërhyn në situatën konkrete, duke e ndryshuar rrjedhën fillestare të gjërave”. Si shembull Mertoni merr Marxin: “predikimi socialist në shekullin XIX, për rrugën nga po shkonte kapitalizmi, shkaktoi fuqizimin e organizimeve punëtore, që fituan të drejtën e negocimit kolektiv, duke i ngadalësuar ose duke i eleminuar përkohësisht zhvillimet që pati parashikuar Marxi”.
— — —
Nisur nga kjo e fundit mund të thuhet me plot gojën se shpeshherë paralajmërimi se mund të ketë luftë, vënia e alarmit për veprimet që shkaktojnë luftë mund ta rrisë vetëdijen dhe veprimin kundër luftës, e si përfundim mund edhe ta pamundësojë krejt fillimin e luftës. Kjo është profeci që përgënjeshtron vetveten me dashje.

Po njësoj mund të thuhet se pacifizmi që bërtet “paqe paqe” dhe mbyll sytë përballë militarizmit dhe armatimit, në fakt shkaktojnë luftë. Kjo është profeci që përgënjeshtron vetveten pa dashje. Ai gomari që kishte ujqit mbi shpinë dhe thoshte “Zot bëje ëndërr”, mund të thuhet se i ftonte vetë ujqit…