Sot, gazetari milioner Blendi Fevziu iu drejtua kryeministrit të Kosovës, z. Kurti me një letër të hapur ku kërkonte që Kosova të bëjë një muze kushtuar fëmijëve të vrarë gjatë luftës.

Është simptomatike që z. Fevziu në tekstin e tij të gjatë nuk përmend aspak se kush i vrau këta 1133 fëmijë. Ata ai i quan të vrarë gjatë luftës, kur duhet të thotë edhe se ata janë vrarë nga shteti serb. Në këtë kuptim, pikërisht kur Fevziu tenton të bëjë të rrebeluarin me një pozicion moral, pikërisht atëherë ai është në pozicionin e korrektesës politike shqiptare tipikisht status quo, qëndrim që është kundër vrasjeve në përgjithësi, por heziton t’i shkojë problemit në thelb.

Gazetari që ka monopolin e kohëz televizive nuk është parë që t’i kërkojë parlamentit shqiptar dhe qeverisë së Edi Ramës që të çojnë përpara njohjen e gjenocidit të shtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë në Parlamentin e Shqipërisë.

Lëvizje Vetëvendosje në Shqipëri e ka ngritur zërin në lidhje me këtë çështje, duke ia adresuar këtë propozim Parlamentit të Shqipërisë; por nuk e kemi dëgjuar z. Fevziu që të harxhojë disa sekonda të kohës së tij të stërmadhe televizive për t’i kërkuar legjislacionit shqiptar njohjen e këtij gjenocidi, në mënyrë që krimi serb mbi civilët shqiptarë, përfshirë dhe fëmijë, të marrë karakter të regjistrimit formal.

Z. Fevziu në letrën e tij ndaj kryeministrit të Kosovës shprehet se z. Kurti duhet të mbrojë këta fëmijë dhe të gjithë viktimat, për të cilët me të drejtë thotë se nuk flasin dot, prandaj u duhet dhënë zë.

Por, po z. Fevziu në kohën e tij të pamatë televizive nuk harxhoi as edhe pak sekonda për të theksuar se ishte pikërisht z. Kurti ai që në takimin për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, “i dhuroi” Vuqiçit një libër që dokumentonte rreth vrasjeve makabre të shtetit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Patjetër që z. Fevziu nuk do të theksonte ndonjë gjë që do ndihmonte në lidhje me procesin e gjatë të shtetndërtimit. Frika e tij, ashtu si e shumë kolegëve të tij analistë të pushtetit në Shqipëri dhe ish-pushtetit në Kosovë, është se mos forcimi i Kosovës e forcon edhe më shumë Albin Kurtin. Prandaj këta kanë zgjedhur që ta dëmtojnë Albin Kurtin me çdo kusht, edhe kur kjo bëhet me çmimin e dëmit të rëndë mbi Kosovën.

Në këtë kuadër duhet kuptuar edhe Letra e Hapur e z. Fevziu, analist-gazetari më i pushtetshëm në gjithë trojet shqiptare, i cili po të donte, mund t’i jepte zë çdo viktime dhe t’i jepte fuqi çdo denoncimi ndaj krimeve, përfshirë edhe ato të shtetit serb.

Në lidhje me këtë letër të z. Fevziu është shprehur edhe profesori nga Tirana, z. Elvis Hoxha, i cili shprehet se kjo letër e hapur është paturpërsi e hapur.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të z. Elvis Hoxha, në profilin e tij në Facebook:

Një drejtues emisioni debati që ka dhunuar hapësirat intime të shqiptarëve për 26 vite, që ka shkatërruar valën publike të transmetimeve për çerek shekulli, që ka marrë pjesë në korruptimin e shoqërisë dhe politikës shqiptare po aq sa të gjithë pushtetet e Shqipërisë së demokraturës, që ka marrë pjesë në shembjen e të gjithë kulturës kombëtare, përfshirë Teatrin Kombëtar, po i shkruan letër të hapur Albin Kurtit, i cili çerek shekulli ka bërë rezistencë me burg e demonstratë. Kjo letër e hapur është paturpësi e hapur.